Profesori i Universitetit të Prishtinës mbron me sukses interesin e Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit
Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Qerim Qerimi me dëshmitë bindëse dhe interpretimet juridike pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ka shmangur humbjen e 380 milionë eurove për Kosovën, siç është kërkuar me padinë kompanisë gjermane AXOS si dëmshpërblim me pretendimet se në mënyrë të paligjshme i ishte mohuar e drejta në privatizimin e Telekomit të Kosovës. Kjo njëherësh ka qenë padia më e madhe kundër shtetit të Kosovës në arbitrazh.

Në vendimin e datës 3 maj 2018 të dhënë nga Gjykata, në mënyrë të posaçme dhe specifike përmendet profesor Qerim Qerimi, i cili me dëshmitë bindëse që ka ofruar, ka rrëzuar pretendimet e avokatëve mbrojtës të kompanisë gjermane. Konkretisht, në pikën 206 të Vendimit në fjalë theksohet shprehimisht se: “Kosova ka ofruar dëshmi bindëse në dëshminë e profesor Qerimit dhe ligjeve relevante të Kosovës. Axos e ka sfiduar interpretimin e ligjeve të Kosovës dhe praktikës gjyqësore, por nuk ka ofruar dëshmi ekspertize në këtë aspekt”. Për më tepër, Kosova ka fituar 2 milionë euro me Vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës. Për të shkarkuar Vendimin e Gjykatës shih linkun: 
http://icsidfiles.worldbank.org/icsid/ICSIDBLOBS/OnlineAwards/C4526/DS11107_En.pdf .

Qerim Qerimi është profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ky sukses dhe kontribut i Prof. Qerimit është një shembull se si personeli akademik i UPHP-së, përveç angazhimit brenda Universitetit, jep kontribut të çmueshëm për interesin e gjerë publik, përkatësisht shtetin e Kosovës. 

Me ketë rast, Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" shpreh vlerësimin e lartë për këtë kontribut dhe ndanë mirënjohje për Profesor Qerim Qerimin.