Studentët e UPHP-së anëtarësohen në Unionin Ndërkombëtar të Shoqatave për Shërbime Radio Amatore
Radio Klubi i studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kuadër të Shoqatës së Radio Amatorëve të Kosovës (ShRAK), është bërë anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Shoqatave për Shërbime Radio Amatore (IARU).

IARU njëherazi është anëtare sektoriale e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU-së) dhe anëtare e DXCC listës së shteteve të largëta, në kuadër të Ligës Amerikane të Radio Lidhjeve (ARRL).

Falë aktiviteteve të ShRAK-ut dhe të angazhimit të më se 100 studentëve të FIEK-ut të trajnuar nga SHRAK-u dhe të licencuar për radio operim nga Autoriteti i Rregullatorit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), si dhe mbështetjes së programit ndërkombëtare për zhvillim të radioamatorizmit në Kosovë- YASME Goodwill Mission, është bërë edhe njohja e ShRAK-ut në nivelin më të lartë ndërkombëtarë, pikërisht në Ligën Amerikane për Radio Lidhje (ARRL), që nënkupton anëtarësimin e Kosovës në listën DXCC në mesin e 340 shteteve të tjera anëtare.

Një njohje e tillë konsiderohet të jetë një arritje e madhe për radio operatorët e Kosovës, e në veçanti për studentët e rinj të FIEK-ut, të cilët nga tani e tutje do të mund të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme dhe konteste tekniko-sportive përmes radios, në nivel të barabartë me shtetet e tjera ndërkombëtare