Mbahet takimi i parë i grupit punues për trajtimin e dukurisë së ngacmimit seksual në UPHP
Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u mbajt takimi i parë i grupit punues për diskutimin e dukurisë së ngacmimit seksual në kuadër të UPHP-së.

Në këtë takim, ku prezent ishte edhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, morën pjesë aktivistë të çështjeve të grave, aktivistë të barazisë gjinorë, pjesëtarë të stafit akademik, përfaqësues të organizatave studentore dhe studentë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori Dema i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për prezencën e tyre dhe për gatishmërinë e shprehur për krijimin e këtij grupi punues, duke potencuar përkushtimin e menaxhmentit në trajtimin e kësaj çështjeje. Dema siguroi në përkrahjen e strukturave menaxheriale të UPHP-së në evitimin e kësaj dukurie nga Universiteti.

Gjatë këtij takimi u diskutuan detaje rreth programit të këtij grupi punues për ditët në vijim. Përkatësisht, prof. ass. Nita Luci nga Programi Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore në kuadër të Fakultetit Filozofik, njëherësh koordinatore e këtij grupi punues, paraqiti propozimin për punën e grupit të ndarë në disa sesione konkrete për hartimin e politikave dhe planit të veprimit në adresimin dhe trajtimin e kësaj dukurie.

Ky grup punues është ftuar nga prof. ass. Nita Luci, me kërkesën e drejtpërdrejtë të Rektorit Dema, me qëllim që të diskutohet profesionalisht për mënyrën se si duhet të trajtohet kjo dukuri negative brenda Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.