UPISC – konferenca që po sjellë “Evropën” në Kosovë
Vegim Hoti, presidenti i Konferencës Ndërkombëtare Studentore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (UPISC) tregon që përgatitjet për konferencën më të madhe të organizuar nga studentët e UPHP-së janë duke shkuar sipas planifikimit. UPISC, përveç vlerës së saj të jashtëzakonshme akademike, është një mundësi e artë që studentët nga mbarë bota ta vizitojnë Kosovën, si dhe studentët vendorë të krijojnë miqësi me të rinj anembanë globit.

“Nga pamundësia që rinia jonë të vizitojë Evropën, me anë të UPISC-it, ne po e sjellim “Evropën dhe botën” tek ne” shprehet Vegimi, tek flet për rëndësinë e kësaj konference, e cila po organizohet me sukses për të tretën herë më radhë në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

Edicionet paraprake u shndërruan në shembuj të një organizimi studentor mbresëlënës, duke i lënë përshtypje pozitive pjesëmarrësve nga mbarë bota. UPISC në edicionin e fundit të organizuar në maj të vitit të kaluar, solli në kryeqytetin e Kosovës studentë nga jo më pak se 35 shtete të botës, dyfishim pjesëmarrësish dhe përgjysmë më shumë përfaqësim shtetesh sesa në edicionin e parë mbajtur në maj, 2016.  

Se UPISC-i është njëra ndër konferencat më të mira në rajon dhe jo vetëm, dëshmuan përshtypjet e pjesëmarrësve, të cilët e konsideruan këtë konferencë si “më të mirën ndonjëherë”, madje edhe “të pakrahasueshme me konferencat e tjera”.

“Do të jetë e paharrueshme” tha rusja Nataliia Aniskevich kur u pyet për eksperiencën e saj në UPISC. Ndërkaq, për Roxana Maria Sabau nga Romania, UPISC-i është e nivelit të njëjtë me konferencat më të mëdha në të cilat ajo ka qenë pjesëmarrëse. “Pjesa akademike, akomodimi, transporti, ushqimi, gjithçka ishte në standardet më të larta. Madje, UPISC-i është konferenca e vetme të cilën do ia rekomandoja miqve të mi”, thotë Roxana. Ndërkaq, Silvia Meto, pas përfundimit të edicionit të fundit, kërkoi nga organizatorët që të vazhdojnë në këtë mënyrë. “Nëse do i ndiqni këto hapa, në vitet në vijim, UPISC-i do të jetë njëra ndër top konferencat në Ballkan dhe më gjerë” thotë Silvia nga Shqipëria.

Për vlerën e UPISC-it në rrafshin ndërkombëtar, tregon edhe shpërndarja e saj në portalet e informimit akademik më me nam në botë. Por, përveç shpërndarjes, UPISC-i ka thyer edhe barriera të tjera, ku gjatë shpërndarjes së saj në disa nga këto portale, për herë të parë është përmendur emri i Kosovës si shtet organizator, madje edhe nga vendet të cilat ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës (disa nga linqet: https://10times.com/upisc; https://bit.ly/2GRKtfU ; https://bit.ly/2HirLS2 ; https://bit.ly/2IN6xZC ).

Tema bosht e edicionit të tretë të UPISC-it do të jetë: Edukimi në Ndërmarrësi në shekullin e 21-të (ang. Entrepreneurship Education in the 21st Century), ndërkaq afati i fundit për aplikim që të zini një vend në konferencën në fjalë është data 15 prill 2018.

Për tu informuar më shumë rreth këtij organizimi, vizitojeni uebfaqen zyrtare: www.upisc.net