Mbahet Kongresi i Shkencave Juridike - JURISCONKOS, organizuar nga studentët e UPHP-së
Në ambientet e amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore Universitare, u mbajt konferenca e Kongresit të Shkencave Juridike – JURISCONKOS, organizuar nga studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ky është edicioni i parë i këtij Kongresi, i cili shtjelloi temën “Sundimi i Ligjit në Kosovë”.

Prorektori për shkencë në UPHP, prof. dr. Faton Berisha, përgëzoi studentët për këtë organizim të shkëlqyer akademik, duke uruar të gjithë pjesëmarrësit për një eksperiencë të paharruar. Prorektori potencoi edhe një herë se ky menaxhment do t’i mbështesë studentët në organizimin e aktiviteteve të tilla, që së bashku të avancojnë nivelin e debatit dhe diskutimeve në ambientet akademike.

Fjale rasti para të pranishmeve mbajti edhe ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri, i cili vlerësoi se rendi kushtetues dhe ligjor është ndërtuar me shumë sfida, por ka ende punë për t’u bërë në forcimin e zbatimit të ligjit.
“Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të fokusohemi në ngritjen e studimeve juridike dhe bashkëpunimin e organeve të drejtësisë me akademinë” është shprehur Tahiri.

Ne anën tjetër, profesori Arsim Bajrami vlerësoi se sundimi i ligjit është kusht i pashmangshëm për Kosovën në rrugën e saj integruese.

Ndërkaq, përfaqësuesi i studentëve të Fakultetit Juridik, Labinot Avdjaj ka thënë organizimi i këtij Kongresi është kontributi i tyre në sferën e drejtësisë.

Ky organizim ka nisur me disa vizita nëpër institucionet e drejtësisë për t’u përmbyllur me këtë konferencë. Përveç prezantimeve shkencore nga profesorët, studentët kanë mbajtur edhe garën finale të debatit, me ç ‘rast janë shpërblyer fituesit.

Kjo konferencë mblodhi më tepër se 300 pjesëmarrës, përfshirë akademikët më të shquar të fushës, përfaqësuesit e të gjitha Parlamenteve Studentore dhe shumë studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.