Rektori Dema ngushëllon familjen Gashi

E respektuara familje Gashi,

Dhimbja plandosi zemrat tona pas pranimit të lajmit që njëri ndër profesorët më të shquar të departamentit të Elektroenergjetikës të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Ali Gashi, nuk është më në mesin tonë. 

Me lejoni që në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në emër të menaxhmentit, Këshillit Drejtues, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të këtij institucioni, t’u shpreh ngushëllimet më të sinqerta! Ngushëllimet i përcjell edhe tek të afërmit e tjerë, miqtë, kolegët dhe studentët e profesorit të ndjerë.

Profesori Ali Gashi ka dhënë kontribut për rreth katër dekada në zhvillimin e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UPHP, ku për një kohë të gjatë ka ushtruar detyrën e shefit të departamentit të Sistemeve Elektroenergjetike. Ndërkaq, në vitet më të vështira të vendit, në periudhën e okupimit, prof. Gashi ka ushtruar detyrën e dekanit të FIEK-ut.
Me ndarjen e tij nga jeta, arsimi humbi një nga kontribuuesit më të mëdhenj!

I paharruar qoftë kujtimi për profesorin Gashi!


Me respekt,
Prof. Dr. Marjan Dema
Rektor