UPHP vizitohet nga një delegacion i Universitetit “James Madison” i SHBA-ve
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga prorektorët: prof. dr. Myrvete Badivuku – Pantina, prof. dr. Hysen Bytyqi dhe prof. ass. Teuta Pustina, si dhe përfaqësuesit e Parlamentit Studentor, pritën në takim një delegacion nga “James Madison University”, nga Virgjinia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Delegacioni që vizitoi Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” përbehej nga nënkryetarja për çështje akademike e Universitetit, Dr. Heather J Coltman, drejtori i programeve ndërkombëtare, Chin Hong Wang - Felixs dhe drejtorja e programit për bashkëpunim ndërkombëtar/Qendra për Angazhim Global, Vesna Hart, të cilët ishin të shoqëruar nga znj. Qamile Sinanaj - udhëheqëse në divizionin për bashkëpunim ndërkombëtar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Rektori Dema u uroi mirëseardhje delegacionit nga Universiteti “James Madison”, të cilët në fjalën e tij, i informoi për disa nga zhvillimet aktuale në UPHP.

Tema kryesore e diskutimit në këtë takim ishte vizita që studentet e JMU-së do të bëjnë në Kosovë, përkatësisht në UPHP për periudhën korrik/gusht 2018. Njëherësh u propozua ideja që ky shkëmbim i studentëve të mos jetë i njëanshëm, por vizitë edhe studentët tanë të vizitojnë Universitetin “James Madison”, ide e cila u përkrah nga të dyja palët.

Po ashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe për mundësi të tjera të mobiliteteve, jo vetëm të studentëve të programeve baçelor dhe master, por edhe mobilitete në nivelin e doktoratës dhe stafit.

Delegacioni i JMU-së, i shoqëruar nga menaxhmenti i UPHP-së vizitoi edhe qendrën e ndërmarrësisë dhe inkubatorin zyrtar të Universitetit të Prishtinës, VentureUP-in, ku u njoftuan nga afër me punën e kësaj Qendre.