Rektori Dema viziton Akademinë e Shkencave dhe të Artëve të Kosovës
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, z. Marjan Dema, i shoqëruar nga prorektori për kërkime shkencore, prof. dr. Faton Berisha dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, prof. dr. Tahir Arbneshi, vizituan Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Ata u pritën nga Kryesia e ASHAK-ut, e udhëhequr nga akademik Nexhat Daci, kryetar i ASHAK-ut. Me atë rast mysafirët e uruan kryetarin e Akademisë, akademik Nexhat Dacin për zgjedhjen e tij si kryetar i Akademisë si dhe ofruan bashkëpunim substancial dhe kërkuan përkrahje në procesin aktual të reformave në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” që përfshijnë krijimin e standardeve për ndryshime. 

Udhëheqësit e Akademisë falënderuan mysafirët për vizitën dhe njëherit ofruan bashkëpunim të plotë, duke potencuar përvojën pozitive në rrafshin ndërkombëtar kur bashkëpunimi në mes të ASHAK-ut, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe institucioneve tjera nga e gjithë hapësira shqiptare ka qenë i suksesshëm.

Të dy palët u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë në të ardhmen, ku edhe u diskutua që në ditët në vijim të bëhet edhe një memorandum bashkëpunimi, që do të shënonte hapin fillestar të këtij bashkëpunimi.