Shpërndahen certifikatat për pjesëmarrësit në trajnimin “Mësimdhënia në arsimin e lartë”
Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u bë shpërndarja e certifikatave për pjesëmarrësit në trajnimin “Mësimdhënia në arsimin e lartë”, trajnim ky i organizuar dhe realizuar nga Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie (QPM) e UP-së.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema tha që shpreson që ky trajnim, i cili në thelb ka pasur synim përmirësimin e procesit të mësimdhënies nga ana e stafit të UP-së, ka rezultuar i dobishëm për pjesëmarrësit. Dema theksoi që ky trajnim prekë edhe një pjesë të madhe të Planit Strategjik 2017 – 2019, që ka të bëjë pikërisht me forcimin e komponentës së mësimdhënies, gjë për të cilën ai shpreson që me funksionimin tutje kësisoj të Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie do të kontribuohet edhe me tepër në këtë drejtim.

Për rëndësinë e këtij trajnimi foli edhe prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në UP, prof. dr. Naser Sahiti, i cili ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e veprimtarisë së QPM-së. Prorektori Sahiti informoi më tepër lidhur me trajnimet që kjo Qendër do të organizojë në vazhdimësi, të cilat po ashtu do të kenë synim zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së mësimdhënies në UP, derisa i përgëzoi pjesëmarrësit në trajnim për finalizimin me sukses të këtij trajnimi.

Në fund të ceremonisë, Rektori Dema, prorektori Sahiti, z. Carl Hammerdorfer nga World Learning dhe profesoresha Shykrane Germizaj nga Fakulteti Filologjik i UP-së shpërndanë certifikatat për pjesëmarrësit.