UP nënshkruan memorandum për aktivizimin e studentëve në punë vullnetare në fushën e edukimit
Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u bë nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e vullnetarizmit dhe edukimit, nënshkruar ndërmjet UP-së dhe OJQ-së TOKA.

Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema tha që vullnetarizmi është përgjegjësi sociale dhe vlerë e secilit komunitet.
“Ne si menaxhment i Universitetit të Prishtinës jemi shumë të përkushtuar në jetësimin e këtij Memorandumi, që së bashku të punojmë në projekte të ndryshme ku do të përfshihen në punë vullnetare studentët tanë, rrjedhimisht ta promovojmë vullnetarizmin si vlerë për gjithë komunitetin” tha Dema.

Të lumtur për formalizimin e këtij bashkëpunimi u shprehen edhe përfaqësuesit e TOKA-s.

Qëllimi i Memorandumit është krijimi i një marrëdhënie formale midis nënshkruesve, në mënyrë që të mbështetet angazhimi i profesorëve, studentëve dhe komunitetit në implementimin projekteve të vullnetarizmit edukativ.