Rektori Dema dhe prorektori Bytyqi, mirëpresin në UP një grup të studentëve nga Rumania
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. dr. Hysen Bytyqi, pritën me një darkë mirëseardhëse një grup të studentëve të mjekësisë nga Universiteti i Mjekësisë dhe Farmacisë “Iuliu Hatieganu” në Rumani dhe studentët kosovarë nga Kosova’s Organization of Medical Students-KOMS.

Në këtë takim, Rektori Dema u foli studentëve mysafirë për sistemin edukativ në vendin tonë, si dhe për rëndësinë e punës vullnetare dhe aktivizmin qytetar.

Në ditën e nisjes, studentët u ftuan për vizitë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, ku nën udhëheqjen e prorektorit Bytyqi, studentët patën mundësi të njoftohen me strukturën udhëheqëse dhe mënyrën e funksionimit të Universitetit të Prishtinës.

Organizata KOMS nga data 30 tetor deri më 6 nëntor 2017 zhvilloi projektin e këmbimit të studentëve me EMSA-Cluj nga Cluj-Napoca, Rumani.  Qëllimi i këtij projekti është njoftimi i studentëve me sistemin edukativ dhe shëndetësor të vendeve të tjera evropiane, zhvillimi i kompetencës kulturore tek studentët dhe vendosja e marrëdhënieve bashkëpunuese mes universiteteve në Evropë.
Përmes këtij projekti nëntë  studentë rumune vizituan Prishtinën, ku patën mundësinë të ndjekin sesionet edukative si më poshtë:

  1. Rezistenca Antimikrobike;
  2. Trajtimi kirurgjik i neoplazive në urologji;
  3. Transplanti i zemrës;
  4. Virusi Ebola;
  5. Trajtimi i pacientëve në Kirurgjinë Plastike;
  6. Dhurimi i gjakut: nga dhuruesi te marrësi.

Përveç programit edukativ, studentët kanë ndjekur edhe një program të pasur kulturor dhe shoqëror, i cili kishte për qëllim njoftimin e tyre me kulturën dhe historinë shqiptare.
Gjatë muajit dhjetor, studentët kosovarë do të vizitojnë qytetin Cluj Napoca në Rumani.