UP dhe Universiteti i Minesotas, organizojnë punëtorinë “Nga ferma në Tryezë - Prodhimtaria e Shpendëve”
Në kuadër të programit World Learning-Transformation Leadership, program i financuar nga USAID-i, në Universitetin e Prishtinës po zhvillohet punëtoria me titull “Nga ferma në tryezë - Prodhimtaria e Shpendëve”, me ligjërues nga Kolegji i Mjekësisë Veterinare - Universiteti i Minesotës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ligjëruesve nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Këtë punëtori janë duke e ndjekur 26 studentë nga departamente të ndryshme të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë. Punëtoria ka për qëllim ngritjen profesionale mbi integrimin e sistemeve të sigurta në prodhimin e mishit të shpendëve dhe të vezëve.

Udhëheqëse e kësaj punëtorie nga programi Transformational Leadership Program – Scholarships and Partnerships është Prof. Ass. Karin Hamilton.

Punëtoria në fjalë ka si komponentë kryesorë të këtij projekti katër vjeçar binjakëzimin mes Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe Universitetit të Minesotës, ku hyjnë mobiliteti akademik, përmes të cilit deri tani kanë qëndruar në Universitetin e Minesotës tetë mësimdhënës dhe asistentë për përsosje në mësimdhënie, avancimi i metodologjisë kërkimore dhe përsosja profesionale, si dhe janë zhvilluar shtatë vizita nga Universiteti i Minesotës në Universitetin e Prishtinës, për të përkrahur proceset në mësimdhënie si dhe për përmirësim të klimës për hulumtime kërkimore.

Përmes këtij projekti është përkrahur edhe funksionalizimi i klinikës së kafshëve të vogla, sjellja e disa protokolleve për klinikë dhe laboratorë, si dhe janë sjellë një numër i madh i teksteve universitare. Ndër aktivitetet e mbetura dhe më të rëndësishme nga ky bashkëpunim janë edhe përkrahja në draftimin e biznes planit për hapjen e Institutit të Ushqimeve dhe të Veterinarisë, si dhe përgatitja e planit strategjik për Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë për pesë vitet e ardhshme.