Studentët e UP-së mirëpresin platformën E-karrierës
Kanë filluar të mbahen ditët e orientimit për studentët e nivelit bachelor në UP nga Qendra për Zhvillim të Karrierës e UP-së.

Është vetëm dita e dytë dhe interesimi i studentëve është shumë i madh. Të gjithë janë duke e mirëpritur platformën më të re të QZHK-së të quajtur E-karriera e cila u lansua vetëm pak ditë më parë.

Përmes platformës E-karriera, studentët do të kenë mundësinë të krijojnë portfolion e tyre, nga ku do të ndërlidhen me tregun e punës, si dhe do të informohen në kohe reale me mundësi të rëndësishme për karrierën e tyre profesionale.

Shermine Iljazi, studente në Fakultetin e Sociologjisë, shprehet se një platformë e tillë ka qenë shumë e nevojshme për gjithë studentët pasi tani janë më afër tregut të punës. 

“Kur mora njoftimin që do të mbahen ditët e orientimit nuk hezitova dhe erdha për të parë se çfarë po më ofrohet nga kjo qendër. Tani që dëgjova informacionet mbi E-karrierën, jam shumë e lumtur që është krijuar diçka e tillë. Unë po shpresoj që tani do të mundem të jem më afër tregut të punës”, përfundoi Shermini.

Edhe Shkurta Pollomi nga Fakulteti Ekonomik, thotë që ditët e orientimit janë shumë të mirëseardhura për studentët pasi po informohen për çdo shërbim që ofrojnë zyrat e ndryshme brenda UP-së.

“Unë që tani do krijoj portfolion time në platformën E-karriera. Nuk dija asgjë rreth kësaj platforme, mirëpo tani që erdha dhe morra informacionet e duhura, mezi pres të ftoj kolegët e mi të bëhen pjesë e E-karrierës. Jam shumë e kënaqur që mora njohuri rreth të gjitha shërbimeve që na ofrojnë zyrat e ndryshme për brenda UP-së.”

Qendra për Zhvillim të Karrierës është zyra e destinuar për të ndihmuar studentët në ndërtimin e karrierës së tyre profesionale.

Për të gjithë ata që dëshirojnë të marrin informacione rreth shërbimeve të QZHK-së, po u sjellim agjendën e sesioneve informuese: “Ditët e Orientimit për brucoshët e UP-së”.

 

6 NËNTOR 2017 (e hënë) , 13:00h - 14:00h
Rëndësia e shërbimeve të karrierës për zhvillimin tuaj personal dhe profesional

7 NËNTOR 2017 (e marte) , 13:00h - 14:00h
Krijimi i profilit në platformën E-Karriera

8 NËNTOR 2017 (e mërkurë), 13:00h – 14:00h
Shërbimet e zyrave në UP dhe bursat studimore për ju

9 NËNTOR 2017 (e enjte) , 13:00h – 14:00h
Kriteret e tregut të punës (si të zhvilloni shkathtësitë e nevojshme për punësim)

10 NËNTOR 2017 (e premte), 13:00h -14:00h
Puna praktike në UP dhe mundësitë tjera për angazhimin tuaj gjatë studimeve

Jashtë këtyre orareve të prezantimeve, ju ftojmë të vizitoni këndet informuese të QZhK-së në njësinë tuaj akademike për të marrë këshilla konkrete për përpilimin e CV-së, letrës motivuese, këshillave për përgatitjen tuaj për intervistë pune, etj.

Regjistrohu në Këndet informuese të QZhK-së dhe përfito shërbimet falas të informimit dhe këshillimit në karrierë.

Vendtakimi:
Qendra për Zhvillim e Karrierës Universiteti i Prishtinës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Prishtinë, Kosovë
06-10 Nëntor 2017
Në zyrën e Qendrës për Zhvillim të Karrierës
Adresa: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, kati I