Fakulteti Ekonomik organizon punëtori me Christopher Jagger nga Universiteti Rey Juan Carlos i Madridit
Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”  do të mbaj punëtorinë e radhës për studentë. Këtë herë, punëtoria kryesohet nga profesori Christopher Jagger i Universitetit Mbretëror të Madridit.

Studentët e Fakultetit Ekonomik do të kenë mundësinë të ndjekin punëtorinë e profesor Jagger me 16 tetor 2017. Përmes kësaj punëtorie, studentët do të njihen me mënyrën se si shpejtësia dhe presioni i shoqërisë që kërkon informata, shtynë organizatat të krijojnë kuadro të afta për t'i përmbushur kërkesat e inovacioneve të përhershme.

Prof. Christopher Jagger, gjatë punëtorisë, do t'i trajnojë studentët për përdorimin e veglave dhe teknikave efektive të të menduarit dinamik. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të njihen edhe me mënyrën e të menduarit kritik, që sjellë kreativitet dhe ide inovative.

Prof. Jagger është profesor i inteligjencës në Universitetin Rey Juan Carlos të Madridit, me një karrierë të bujshme me qeverinë britanike, Kombet e Bashkuara, NATO-në, si dhe ka qenë oficer i lartë në ekipin e planifikimit të sigurisë për Lojërat Olimpike në Londër. Prof. Jagger, Kosovën e konsideron si shtëpinë e tij, pasi në kuadër të trupave të KFOR-it ka qëndruar për një kohë në vendin tonë.