Rektori Dema angazhohet për bashkëpunim me vendet frankofone – takon përfaqësues të institucioneve dhe kompanive franceze
Gati një vit pas anëtarësimit të Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Agjencinë e Universiteteve Frankofone, Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, ka filluar angazhimin e tij për realizimin e një bashkëpunim sa më të dobishëm më këtë shoqatë.

Si rrjedhojë, sot në Rektorat ai priti dy personalitete të rëndësishme, frengjishtfolës, me të cilët bisedoi për mundësi të ndryshme të bashkëpunimit në dobi të studentëve.

Dema, i shoqëruar nga prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare, prof. dr. Teuta Pustina, dhe në praninë e profesoreshës nga Departamenti i Frëngjishtes, prof. dr. Valbona Gashi – Berisha, priti në takim atasheun e kulturës në Ambasadën Franceze në Kosovë, znj. Cécile Fisteberg. Ata biseduan lidhur me hapjen e një qendre të frankofonisë në Universitetin e Prishtinës, gjegjësisht në Fakultetin Filologjik. Ideja për hapjen e kësaj Qendre ishte paraqitur më parë dhe mbështetur qysh nga fillimi nga Rektori Dema.

Ndërkaq, pas znj. Fisteberg, Dema priti në takim zëvendës drejtorin e aeroportit të Lionit në Francë, z. Roger Forneris, me të cilin biseduan për disa ide bashkëpunimi, kryesisht me universitete franceze, me anë të të cilave studentët do të fitonin mundësi të ndryshme për mobilitete akademike, apo edhe me anë të organizatave të ndryshme, përmes së cilave do të fitonin mundësi për trajnime, punëtori dhe punë praktike.

Dema, në të dyja takimet potencoi vullnetin e tij për realizimin e bashkëpunimeve me vendin mik, Francën, duke shtuar që do të punoj që gjuha franceze të kthehet si lëndë zgjedhore për studim në së paku 25% të departamenteve të UP-së.

Me një rrjet prej 812 anëtarëve nga 104 vende të botes, AUF është njëra ndër shoqatat më të mëdha botërore të arsimit të lartë dhe hulumtimit, ndërsa Universiteti i Prishtinës është anëtar i saj që nga dhjetori i vitit 2016.