Konferenca ndërkombëtare  ‘Ballafaqimi me të kaluarën: Lëvizjet shoqërore në Kosovë gjatë socializmit dhe viteve ‘90’
6-8 Tetor, 2017, në Hotel Sirius, Prishtinë, Kosovë

Me rastin e 20 vjetorit të demonstratave të studentëve të vitit 1997 në Prishtinë, Alter Habitus – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë, Qendra për Studime të Evropës Juglindore (Universiteti i Grazit) dhe Universiteti i Prishtinës organizojnë konferencë ndërkombtare për lëvizjet shoqërore në Kosovë, gjatë dhe pas socializmit.

Lëvizjet shoqërore, kryesisht të paraqitura përmes demonstratave në Kosovë, u organizuan në periudha të ndryshme politike duke shpërfaqur dallimet në rrafshin politik e ideologjik të kohës dhe duke lënë gjurmët në shoqëri dhe politikë. Në këtë konferencë, studiues të shkencave shoqërore, aktivist të shoqërise civile, artist e historian arti nga vendi, rajoni dhe Evropa prezantojnë punën e tyre dhe diskutojnë aspekte të ndryshme të lëvizjeve shoqërore në Kosovë. Konferenca është e strukturuar në panele diskutimi, prezantime projektesh hulumtuese dhe një promovim libri (shiheni të bashkangjitur programin e konferencës).

*Gjate konferencës do të ketë përkthim shqip-anglisht-shqip

 ** Konferenca është e hapur

Konferenca fillon me fjalën kryesore të dy feministeve aktiviste Shukrije Gashit dhe Igo Rogovës. Më pas fillon paneli shënues i 20-vjetorit të demonstratave të 1997-es, me ish organizatorët e kësaj demonstrate - Mihane Salihu Bala, Albin Kurti, Bujar Dugolli.

Paneli i I  - Roli i Universitetit të Prishtinës në lëvizjet shoqërore në Kosovë – vë në sipërfaqe rolin e universitetit, aspektet juridike, elitat dhe real-politikën në lidhje me lëvizjet shoqërore.

Pas këtij paneli,  do të promovohet libri i përkthyer në shqip i Mary Motes ‘Kosova: preludi i luftës 1966-1999’. Motes erdhi në Kosovë në vitin 1966 si mësimdhënëse e anglishtes dhe përcolli ngjarjet kryesore të kohës deri në vitin 1999. Libri i saj na sjell nji histori të jetës së përditshme përgjatë socializmit, diçka që i mungon historiografisë shqiptare në Kosovë. Në panel është edhe autorja, dhe diskutohet për librin e saj, përkthimin dhe historiografinë shqiptare në Kosovë.

Paneli II dhe III – ‘Dimensionet e ndryshme të demonstrave të vitit 1981 - vejnë theksin në demonstratat e 1981-ës, saktësisht në aspektet e ndryshme socio-politike të këtyre demonstratave dhe kësaj periudhe dhe ndikimin që ato patën. 

Paneli IV  - Aspektet e artit dhe kulturës në lëvizjet shoqërore në Kosovë - vë në dukje aspektet e Artit dhe Kulturës të lëvizjeve shoqërore në përgjithësi, veçanarisht në periudhën e viteve ‘90.

Paneli i V - Klasa punëtore dhe lëvizjet shoqërore - diskuton për klasën punëtore në lëvizjet e ’68, ’81 e ’89, si grevat e minatorëve, dhe politikat sociale të sistemit vetë-qeverisës socialist.

Paneli VI – Lëvizja e grave në Kosovë dhe epistemologjitë feministe në hulumtimin e lëvizjeve shoqërore - nxjerr në sipërfaqe aktivizmin e grave gjatë viteve të rezistencës paqsore të '90-ve. Poashtu paneli diskuton edhe epistemologjitë feministe, duke marrë parasysh edhe vendet tjera në ish Jugosllavi.

Pas këtij paneli – prezantimi “COURAGE” – Lidhja e Koleksioneve: të kuptuarit e Trashëgimisë Kulturore të Disidencës në ish-shtetet socialiste
 - prezaton databazën e cila mbledh materiale nëpërmes të të cilave synohet të krijohet trashëgimia e kulturës anti-autoritare të Evropës Lindore dhe Juglindore. 

Paneli VII - Lëvizjet shoqërore dhe solidariteti – diskuton periudhën e viteve ‘90, më saktësisht aspektin e solidaritetit nga aktvizmi ‘kombëtar’ dhe pajtimin e gjaqeve – kulturën në kontekstin e dhunës dhe rezistencës.

Pas këtij paneli – Iniciativa për Histori Gojore prezanton projektin ‘Drejt praktikave të reja të ekspozitë-bërjes: Fushata e Pajtimit të Gjaqeve në ekspozitë, duke paraqitur dhe diskutuar këtë periudhë në mënyra të reja të ekspozimit.

Paneli VIII dhe përmbyllës është - Demonstratat e vitit 1997 – në të cilin diskutohen këto demonstrata në aspektin e krahasimit me të tjera në vitet e mëhershme, vazhdimësitë dhe ndryshimet, dhe poashtu lidhja shoqatave të periudhes së 1990-ve me shtetin.