Rektori Dema priti në takim auditorin e përgjithshëm, z. Besnik Osmanin
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, priti në zyrën e tij auditorin e përgjithshëm nga Zyra Kombëtare e Auditimit, z. Besnik Osmanin. Në këtë takim të pranishëm ishin edhe prorektori për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”,prof. dr. Hysen Bytyqi, znj. Emine Sadriu – ndihmës auditor i përgjithshëm për auditimet qendrore dhe Qendresa Mulaj - udhëheqëse e kabinetit të auditorit të përgjithshëm.

Rektori Dema falënderoi shumë auditorin e përgjithshëm, z. Osmanin për vizitën, duke theksuar që ky menaxhment i UP-së do të jetë i lumtur nëse bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit do të vazhdonte edhe më me intensitet në të ardhmen.

Vullneti për bashkëpunim ishte i dyanshëm. Këtë e vuri në pah edhe auditori Osmani, i cili paraqiti disa ide ku të dyja institucionet do mund të krijonin projekte të rëndësishme së bashku.

Palët aktualisht u dakorduan për realizimin e një mundësie për praktikë për studentët e UP-së, e cila do të realizohej në zyrat e Auditorit, mundësi për të cilën do të ketë një memorandum bashkëpunimi, i cili paraprakisht do të specifikojë bazën ligjore.