Profesori i UP-së, SEFER AVDIAJ, përfitues i bursës fulbright
Sefer Avdiaj, profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjegjësisht ligjërues në Departamentin e Fizikës në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore është përfitues i bursës fulbright.

Projekti hulumtues i Profesorit Avdiaj me të cilin është përfitues i bursës, do të kryhet në National Institute of Standard and Technology (NIST) Washington-USA dhe do të jetë i fokusuar në matjen e shtypjeve të ulëta duke përdorë dritën laserike dhe shpërhapjen e dritës në gazin e caktuar.

Kontributi i z. Avdiajt, së bashku me stafin e NIST-it, do të jetë dizajnimi i aparaturës së re dhe përdorimi i eksperimenteve laboratorike me qellim të validimit të dizajnit dhe metodës së re në krahasim me metodat primare ekzistuese. Ky projekt do mundësojë që standardet e presionit të saktësisë së lartë të jenë gjerësisht të disponueshëm dhe gjithashtu do të ndihmojë proceset industriale, kërkimet shkencore dhe sigurinë aeronautike.

Aktualisht, NIST është i vetmi vend në botë në të cilin është duke punuar me këtë teknologji. Përveç kësaj NIST ka të vetmin standard të aftë për matje në këtë rang me saktësi të lartë me anë të të cilit do të bëhet verifikimi i performancës së FLOC.