Rektori Dema u ofron mbështetje studentëve organizues të Kongresit Ndërkombëtar “QASJE 2”
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema priti në takim studentët organizatorë të Kongresit të Shkencave Juridike dhe Ekonomike të titulluar “QASJE 2”.

Në këtë takim, prezent ishte edhe prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Faton Berisha.

Studentët Adonis Sinidolli dhe Xhemajl Musliu, e informuan Rektorin lidhur me rrjedhën e edicionit të parë të Kongresit “QASJE 1”, për organizimin e të cilit e falënderuan shumë menaxhmentin, e Rektorin në veçanti, për ndihmesën e dhënë. Studentët paraqitën edhe kërkesat e tyre lidhur me organizimin e edicionit të dytë, cili po planifikohet të mbahet në datat 27 – 28 tetor 2017, kërkesa të cilat u aprovuan nga Rektori Dema.

Në anën tjetër, Rektori Marjan Dema potencoi që “meanxhmeti i UP-së është këtu për studentët” dhe rrjedhimisht, ky menaxhment do të jetë përkrahës i këtij Kongresi, ashtu siç është çdo herë mbështetës i projekteve të organizuara nga studentët.

“Integrimi Euro-atlantik i Republikës së Kosovës” do të jetë tema e Kongresit të Dytë Ndërkombëtar të Shkencave Juridike dhe Ekonomike. Studentët e interesuar për aplikim në këtë Kongres Shkencor të organizuar nga studentët e UP-së, më shumë informacione do të gjejnë në faqen zyrtare të Kongresit, duke ndjekur këtë link: http://www.qasje.org/al/ .