Adminstrata Qendrore

Administrata Qendrore e Universitetit të Prishtinës është themeluar me vendimin e Bordit të Universitetit të Prishtinës në vitin 2001.
Sipas Statutit të Universitetit, Administrata Qendrore është përgjegjëse për çështjet profesionale, administrative dhe teknike në lidhje me:
1. Arsimin, kërkimet shkencore dhe punën artistike;
2. Administrimin e njohjes së studimeve;
3. Administrimin e personelit;
4. Aspektet ligjore;
5. Planin zhvillimor të Universitetit;
6. Kontabilitetin dhe financat;
7. Mirëmbajtjen dhe dokumentimin e pronës;
8. Dosjet;
9. Qarkullimin e mallrave;
10. Menaxhimin e sistemit të informimit;
11. Bazën qendrore të të dhënave;
12. Aspektet e tjera të përgjithshme të Administratës së Universitetit.

Të gjitha këto koordinohen nga sekretari i përgjithshëm.
Me sugjerimin e sekretarit të përgjithshëm, rektori nxjerr rregullore rreth sistematizimit të vendeve të punës brenda Administratës Qendrore të Universitetit.Përshkrimi më i detajizuar i punëve për shërbimet e Administratës Qendrore është i paraparë në

Rregulloren për organizimin e brendshëm të Administratës Qendrore të Universitetit.

Në kuadër të Administratës Qendrore funksionojnë këto shërbime: 

1. Shërbimi juridik dhe i burimeve njerëzore

2. Shërbimi për çështje akademike;

3. Zyra për zhvillim akademik;

4. Shërbimi për financa dhe kontabilitet;

5. Departamenti i prokurimit;

6. Njësia e auditivit të brendshëm;

7. Shërbimi për studentë;

8. Shërbimi për teknologji të informacionit;

9. Zyra për marrëdhënie me jashtë;

10. Qendra e gjuhëve;

11. Qendra për përsosmëri në mësimdhënie;

12. Qendra për të drejtat e njeriut;

13. Qendra për barazi gjinore;

14. Shtëpia botuese e Universitetit.

 

Administrata qendrore duhet të krijojë mundësi që Universiteti të jetë në gjendje t'i realizojë detyrat e marra përsipër në fushën e mësimit dhe në fushën kërkimore shkencore. Punonjësit e Administratës Qendrore duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të punojnë, duke pasur parasysh edhe efektin ekonomik dhe duhet të jenë të kujdesshëm në kursimin e mjeteve që kanë në dispozicion. Të gjithë punonjësit duhet të kujdesen që Administrata Qendrore të transformohet në një administratë moderne.

Përgjegjësia, komunikimi dhe transparenca duhet të jenë moto e përparimit të Administratës Qendrore.

Administrata Qendrore përpilon plane afatgjate, menaxhon buxhetin vjetor, kontrollon aktivitetet në fakultete dhe shkolla të larta si dhe organizon menaxhimin ditor.

Për të gjitha vendet e punës përshkrimi i punëve dhe i detyrave të punës më hollësisht është paraparë me Rregulloren për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës, që është miratuar nga Bordi i Universitetit më 26.12.2003.