Rektori i Universitetit të Prishtinës

Prof. asoc. dr. Ibrahim Gashi
Rektor i Universitetit të Prishtinës


Rektorati i Universitetit të Prishtinës
Rr. "Nëna Terezë", p.n.
10 000 Prishtinë
Republika e Kosovës
Tel: +381 38 244 183 /244 186
Fax: +381 38 244 187
E-mail: ibrahim.gashi@uni-pr.edu



Biografia e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof. asoc. dr. sc. Ibrahim Gashi

Prof. asoc. dr. Ibrahim Gashi u lind më 6 prill 1963 në fshatin Llapushnik të Komunës së Drenasit, ku edhe e përfundoi shkollimin fillor dhe atë të mesëm. Në vitin 1986 diplomoi në Degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Studimet pasuniversitare i vijoi në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1994. Në vitin 2003 e mbrojti me sukses temën e doktoratës në një program studimor të përbashkët ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Gracit, më temë “Shqiptarët dhe fqinjët e tyre në Luftën e Parë Ballkanike”, me ç’rast edhe mori gradën shkencore Doktor i Shkencave të Historisë.
Që nga viti 1994 deri në vitin 2012 ka qenë i angazhuar si mësimdhënës në Fakultetin Filozofik, respektivisht në Departamentin e Historisë dhe në Departamentin e Shkencave Politike dhe Administratës Publike, ku edhe ka ushtruar pozita të ndryshme drejtuese, siç vijojnë:

• Koordinator i Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie (2004-2008)
• Shef i Departamentit të Shkencave Politike dhe Administratës Publike (2004-2007)
• Anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2004-2006)
• Zëdhënës i Universitetit të Prishtinës (2005-2006)

Në korrik të vitit 2012, prof. dr. Ibrahim Gashi u zgjodh rektor i Universitetit të Prishtinës për një mandat katërvjeçar për periudhën 1 tetor 2012 - 1 tetor 2016.
Gjatë periudhës kohore 2000-2012 ka qenë bashkëpunëtor shkencor i disa universiteteve në Evropë dhe në SHBA, ku ka realizuar vizita të ndryshme studimore dhe ka publikuar punime shkencore në gjuhën angleze, gjermane dhe shqipe për çështje të historisë së diplomacisë, nacionalizmit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Përveç pjesës së hulumtimeve, z. Gashi ka qenë pjesë e programit “Fulbright Scholar Program”, që konsiderohet si programi më prestigjioz i bursave në SHBA. Rektori Gashi ka qenë i ftuar si ligjërues nga disa universitete të njohura evropiane dhe amerikane, si: Universiteti i Grazit (2000-2003), Universiteti Shtetëror i Arizonës (2003), London School of Economics and Political Sciences (2004-2005), Universiteti i Evropës Juglindore-Tetovë (2006) dhe Universiteti i Teksasit-Austin (2009).
Që nga viti 2007 deri në vitin 2011 prof. Gashi u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe kreu funksionin e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gjatë kësaj periudhe ushtroi funksionin e anëtarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 23 maj të vitit 2011 u emërua zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Për shkak të angazhimeve dhe orientimit në fushën akademike, në maj të vitit 2012 dha dorëheqje nga të gjitha postet politike.
Flet dhe shkruan rrjedhshëm gjuhën angleze dhe gjuhën serbo-kroate, si dhe kupton gjuhën gjermane.
Jeton në Prishtinë, me gruan, dy djemtë dhe dy vajzat.