Qeverisja e Universitetit

Organet kryesore qeverisëse të Universitetit janë Këshilli Drejtues dhe Senati. Këshilli Drejtues ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit.

Senati i Universitetit është organi më i lartë akademik i Universitetit. Atë e kryeson rektori i Universitetit, i cili është autoriteti kryesor menaxhues i Universitetit. Rektori është udhëheqësi kryesor akademik e administrativ dhe është përgjegjës për punën efektive dhe të rregullt të Universitetit dhe për menaxhimin e tij sipas politikës së përcaktuar nga Këshilli Drejtues. Rektorin e ndihmojnë prorektorët dhe sekretari i përgjithshëm i Universitetit. Detyrat e prorektorëve caktohen nga rektori në pajtim me dispozitat e Statutit të UP-së.

Sekretari i përgjithshëm i Universitetit është zyrtari më i lartë ekzekutiv dhe administrativ i Universitetit. Ai përgjigjet rektorit për administrim efikas, ekonomik dhe efektiv në të gjitha nivelet e Universitetit.