Projektet IPA

Projekti hulumtues ”Ndotja e mjedisit në Kosovë: efektet potenciale gjenotoksike dhe rreziqet për shëndetin e njeriut” (“Environmental pollution in Kosova: potential genotoxic effects and related human health risks”)


Ky projekt hulumtues, që zbatohet nga Universiteti i Prishtinës në
partneritet me Universitetin e Salzburgut, financohet nga Komisioni
Evropian dhe adreson probleme të identifikuara në dy fusha prioritare
në Programin Kombëtar të Shkencës 2010-2015, si: "Mjedisi, energjia
dhe burimet natyrore" dhe "Kërkimet mjekësore dhe shëndeti publik". Në
kuadër të aktiviteteve të tij parashihen hulumtime për vlerësimin e
dëmtimeve të materialit gjenetik te njeriu, te shtazët dhe te bimët si
pasojë e ndotjes së mjedisit si dhe hulumtimi i ndërveprimeve
gjen - ambient në nivel të populacionit njerëzor.

Projekti synon që të kontribuojë edhe në rritjen e numrit dhe cilësisë
së aktiviteteve hulumtuese në Universitetin e Prishtinës, të
instalojë pajisje dhe metoda të reja hulumtuese, të forcojë lidhjen e
mësimdhënies dhe të kërkimit duke i mbështetur hulumtimet e studentëve në
kuadër të punimeve të tyre master dhe diplomë, të forcojë
partneritetet ekzistuese, të zgjerojë bashkëpunimin me institucionet
kërkimore evropiane, si dhe t’i përmirësojë kapacitetet e menaxhimit të
projekteve në Universitetin e Prishtinës.

Ky projekt do të kontribuojë edhe në kuadër të objektivit të
përgjithshëm, që është përmirësimi i shëndetit të njeriut dhe të
mjedisit në Kosovë dhe përmbushja e standardeve të BE-së, që kanë të
bëjnë me ambientin dhe shëndetin publik.

Ky projekt zbatohet nga Universiteti ië Prishtinës dhe Universiteti i Salzburgut, ndërkaq koordinator është prof. dr. Avdulla Alija nga Departamenti i Biologjisë.