Organet drejtuese të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Projektin për Transformim të Lidershipit të USAID-it, krijuan Komisionin Këshillues për Financa. Ky komision përbehet nga menaxherë financiar, sipërmarrës dhe akademik nga Kosova dhe SHBA-të, të cilët i bashkon ideja që e ardhmja e Kosovës varet nga ngritja e UP-së dhe akterëve të tjerë të arsim të lartë.

Në takimin e parë të këtij komisioni, mbajtur në gusht në sallën e dekanëve, anëtarët e tij diskutuan në lidhje me buxhetin, procesin e transaksioneve financiare, autoritetet dhe kontrollet organizative, burimet e të ardhurave nga jashtë si dhe nevojën për koordinim më të mirë në mes organeve drejtuese të UP-së dhe proceseve në Ministrinë e Financave.

Rektori Marjan Dema i është adresuar komisionit në fjalë, duke i falënderuar anëtarët e tij për shërbimin vullnetar që po bëjnë.“Ne jemi të interesuar që të angazhojmë lider nga biznesi, profesionist të kontabilitetit dhe menaxhimit, madje edhe nga universitetet amerikane, në mënyrë që institucioni i UP-së të zhvillojë një sistem të qëndrueshëm financiar” tha rektori. Ai shtoi se “stafi  i UP-së ka zhvilluar një plan strategjik për ta vënë institucionin në rrugën drejt mësimdhënies më të mirë, kërkimeve shkencore dhe përmirësimit të shërbimeve për studentë. Dhe për t’i arritur këto synime, ne duhet të kemi efikasitet dhe transparencë më të madhe financiare”.

Në anën tjetër, sipas Dr. Ed Cooper, konsulent i lartë për arsim të lartë në World Learning, “Universiteti i Prishtinës po ndjek një agjendë ambicioze për ndryshime në menaxhment, e cila do ta shndërrojë këtë institucion në një universitet publik lider në hulumtime. Por, që elementet përbërëse të kësaj agjende të kenë sukses, ne duhet t’i adresojmë mangësitë në sistemin menaxherial financiar të UP-së, si dhe duhet te mbështetemi në ekspertizën lokale, në mënyrë që të krijojmë një sistem të tillë të suksesshëm”.

Komisioni kryesohet nga Prorektorja Myrvete Badivuku dhe përbëhet nga anëtarë të sektorëve të ndryshme, si: Z. Errold Belegu, Znj. Ardiana Bunjaku, Z. Agon Gashi, Z. Michael Gold, Z. Tyler Kelsch, Z. Nexhat Kryeziu, Z. Mergim Prishtina dhe Znj. Linda Shala.
Komisioni Këshillues për Financa do të takohet përsëri në muajin prill të këtij viti.