“MalMath” aplikacioni i studentëve të UP-së me afër 4 milionë shkarkime në android

Erjon Paçarizi, Alban Robelli dhe Admir Jashari janë tre studentë të Departamentit të Shkencave Kompjuterike në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës të cilët rreth një vit më parë lansuan aplikacionin “MalMath”.
Aplikacioni i krijuar nga këta studentë deri më tani ka arritur afër 4 milionë shkarkime në sistemin android, numër i cili po vazhdon të rritet me shpejtësi të jashtëzakonshme.

Ky aplikacion dallon nga aplikacionet e deritanishme të kësaj fushe për shkak se zgjidh detyra të matematikës duke përshkruar secilin hap të tyre. Përdoruesve dhe shkarkuesve të “MalMath”-it rezultojë që iu pëlqeu dhe i hyri në punë shumë, rrjedhimisht në aplikacionin për shkarkim në android, Play Store, MalMath është vlerësuar me notën 4.5. Në hapësirën e komenteve të këtij aplikacioni në Play Store numërohen rreth 50 mijë replika nga përdoruesit, e që shumica nga ta e konsiderojnë si mjaft të dobishëm këtë aplikacion. “Ia vlenë”, “aplikacion i mrekullueshëm për matematicienë”, “ua rekomandoj fuqishëm këtë aplikacion”, “aplikacioni më i mirë”, janë disa nga reagimet e përdoruesve të këtij aplikacioni në PlayStore.

Alban Robelli, njëri nga krijuesit e këtij aplikacioni thotë se misioni i tyre është që të pajisin studentët me zgjidhje të detajuara për problemet e matematikës në nivelin që ata mund ta kuptojnë procesin e zgjidhjes së problemit. “Ideja është për të ndihmuar nxënësit të kuptojnë mënyrën e zgjidhjes së problemeve të matematikës dhe jo vetëm, duke e dhënë rezultatin e problemit” thotë ai.

Foto 1. Alban Robelli, krijues i MalMath, duke e përdorur aplikacionin ne Universitetin ku studion


Në anën tjetër, ideatori i këtij aplikacioni, Erjon Paçarizi tha që  “gjatë studimeve në Departamentin e Shkencave Kompjuterike në UP, ligjeratat nga kurset e programimit dhe matematikës kanë qenë një kombinim më së i nevojshëm për ta krijuar një aplikacion siç është MalMath”.

Aplikacioni që është lansuar me 5 maj të vitit 2015 ka si gjuhë zyrtare anglishten, mirëpo funksionon edhe në 13 gjuhë të tjera siç janë: shqip, gjermanisht, spanjollisht, italisht, frengjisht, arabisht, kinezisht e të tjera gjuhë. E kjo sipas lansuesve ka bërë që aplikacioni të këtë një sukses mbarëbotëror. Sipas Alban Robellit “MalMath” është shkarkuar në shumë vende të botës, por në mase më të madhe në Turqi, SHBA, Rusi, Meksikë, Kolombi, Gjermani, Itali e Brazil.
Madje, diçka që i ka surprizuar edhe vetë krijuesit e aplikacionit është një punim diplome master që është bërë nga një student i “Universitetit Federal të Rio Grande” (Universidade Federal do Rio Grand) në Brazil me titullin “Zbatimet e funksioneve eksponenciale dhe logaritmike duke e përdorur aplikacionin MalMath”. Punimin 150 faqesh gjejeni këtu (25/08/2016):
http://www.profmat-sbm.org.br/dissertacoes

Foto 2. Duart e një studenteje duke përdorur MalMath në telefonin e saj


Në anën tjetër, Shefi i Departamentit të Matematikes, Prof. Dr. Bujar Fejzullahu tha se janë të lumtur që këta studentë kanë arritur të krijojnë një aplikacion të tille dhe njëkohësisht kanë arritur njerin ndër q qëllimet kryesore të departamentit që është lidhja e pjesës teorike me atë aplikative. Ndër të tjerash Fejzullahu shtoi se “në një pyetesor online të organizuar nga disa anetarë të stafit të departamentit tonë me studentët që kanë përfunduar studimet në Shkenca Kompjuterike, kemi rezultat mbreselënës: punesimi i shumicës së tyre në sektoret publik dhe privat, ndersa pjesa tjetër në vazhdimin e studimeve të metejme”.


Veçoritë kryesore të MalMath-it janë:
·         Përshkrim hap pas hapi me shpjegim të detajuar për çdo hap gjatë zgjidhjes së problemit matematikor;
·         Më lehtë për ta kuptuar problemin duke theksuar hapat;
·         Paraqitje grafike të funksioneve;
·         Gjeneron probleme matematikore sipas kategorisë dhe nivelit të vështirësisë;
·         Ruan apo shpërndanë zgjidhjet dhe grafikët e funksionit.

 
Foto 3 dhe 4: Pamje të MalMath

Sipas krijuesve të tij, aplikacioni MalMath është i dobishëm për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e fakulteteve të ndryshme, mësues e prindër.

Studentët krijues të këtij aplikacioni thanë që ky është projekti i parë i tyre i rëndësishëm, por që nuk po planifikojnë të ndalen me kaq.

Aplikacionin MalMath mund ta shkarkoni në linkun e mëposhtëm në Play Store: https://play.google.com/store/apps/details?id=com.malmath.apps.mm

Për më shumë informata vizitoni uebsajtin:
http://www.malmath.com