Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA mbështeti gjashtë idetë më të mira për biznes. Këto ide janë përzgjedhur dhe prezantuar gjatë ngjarjes Startup Weekend Prishtina organizuar nga ICK – Innovation Centre Kosovo.

E siç ndodh zakonisht, çmimet e para në këtë garë i fituan studentët e UP-së. “HappyFeet” është aplikacion mobil i cili mundëson skanimin e këmbës dhe sugjeron këpucët e përshtatshme për këmbën tuaj. Kjo ide u shpërblye me vendin e parë në këtë garë. Ky aplikacion është krijuar nga një ekip studentësh të Universitetit të Prishtinës, i cili përbehet nga: Dhurata Kamberi dhe Anita Veseli absolvente në FSHMN, si dhe Eriona Kollqaku dhe Erblina Hasani absolvente në FIEK. Kjo ide për biznes u mbështet financiarisht me shumën prej 5,000 eurosh. Sipas Dhurata Kamberit aplikacioni në fjalë eviton problemet gjatë blerjes së këpucëve online. “Në shumicën e rasteve kur blejmë këpucë online për shkak të pamundësisë për t’i provuar ato, përfundojmë me madhësinë e gabuar të këpucëve, andaj përmes këtij aplikacioni ju mund t’i “provoni” këpucët në mënyrë virtuale dhe t’i zgjidhni më të përshtatshmet për ju”, tregon Dhurata, e cila e konsideron emocion të papërshkrueshëm fitimin e vendit të parë në këtë kompeticion, aq me tepër duke pas parasysh faktin që kishte shumë ekipe të mira që konkurronin.
Ndërkaq, “Libr” fitoi vendin e dytë në garë. “Libr” është aplikacion i krijuar nga Amar Syla dhe Argeta Morina, që të dy studentë të Universitetit të Prishtinës në Departamentin e Shkencave Kompjuterike, së bashku me Agron Murtezin, student në UBT. Aplikacioni “Libr”, detajet e të cilit mund t’i gjeni në  http://uni-pr.edu/Lajmet/Libra-ne-vend-te-pokemonave.aspx  u mbështet me shumën prej 2.500 eurosh.
Universiteti i Prishtinës shprehët i lumtur për këtë sukses të studentëve tanë, duke i uruar për suksese të mëtutjeshme dhe duke i ofruar mbështetje në vazhdimësi.