“Dita Botërore e Shëndetësisë” ishte arsyeja pse studentët e Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina” organizuan një aksion simbolik për matje të tensionit të gjakut të qytetarëve. Parlamenti i Studentëve i UP-së, së bashku me studentët e Fakultetit të Mjekësisë, zgjodhën sheshin “Nena Terezë” për t’i shërbyer qytetarët më matje të tensionit të gjakut dhe për t’u dhënë atyre këshilla se si të kujdesen për shëndetin e tyre.

Sipas Muhamer Hamzajt, kryetar i Parlamentit të Studentëve, aktiviteti ka zgjuar interesim të madh tek qytetarët. “Aktiviteti është organizuar me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për rëndësinë e ruajtjes së shëndetit dhe me këtë rast është manifestuar në mënyrë simbolike dita ndërkombëtarë. Qytetarët ishin shumë të interesuar për shëndetin dhe me këtë aksion simbolik në lidhje me hipertension ata morën sinjalet e nevojshme së si të kujdesen në vazhdim” tha ai.

Në këtë aksion morën pjesë mbi 130 qytetarë, pjesa më e madhe e tyre ishin qytetarë të moshuar të cilët vuanin nga hipertensioni. Në të dhënat statistikore që studentët gjeneruan nga ky aksion, rezultoi që hipertension kishin 35 % e tyre, pre hipertension 25 % , normotension 25 % dhe hipotension 15 %.
Ky aksion ka pasur për qëllim ngritjen dhe promovimin e ruajtjes së shëndetit si dhe informimin e qytetarëve së si duhet ta ruajnë shëndetin.