Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, shënoi sot 47-vjetorin e themelimit të tij. Nën tingujt e himnit akademik, shtetëror dhe kombëtar, të intonuar në sallën e senatit në Rektorat, filloi ceremonia e celebrimit të gati gjysmë shekulli ekzistence e Universitetit të Prishtinës, institucionit më të madh të arsimit të lartë në vend.

I pari i Universitetit, rektori Marjan Dema, iu drejtua të pranishmëve me një fjalim, me anë të së cilit foli me krenari për rrugëtimin e UP-së gjatë këtyre viteve. Rektori përmendi sukseset e mëdha që ka pasur UP-ja gjatë kësaj periudhe dhe ngritjen e përvjetshme në ranglistën e universiteteve botërore.  “Përulemi para studentëve dhe profesorëve që kanë rënë në altarin e lirisë. Ky përvjetor duhet të na shërbejë që duke shikuar të kaluarën, ta ekzekutojmë më mirë të ardhmen tonë në rrugëtimin drejt dijes” tha rektori. Ai premtoi që UP-ja do të vazhdojë të jetë lider në fushën e arsimit dhe do t’i përkrah studentët dhe profesorët në rrugëtimin akademik.
Në këtë ceremoni qe i pranishëm edhe ministri i arsimit, shkencës dhe teknologjisë i Republikës së Kosovës, z. Arsim Bajrami, i cili i uroi 47 vjetorin e ekzistencës institucionit më të rëndësishëm akademik në Kosovë.“Secila ngjarje e lirisë dhe e shtetndërtimit ka filluar në UP” tha ministri në fjalimin e tij.
I pari i UP-së, rektori Dema, në këtë ceremoni ndau mirënjohje për 13 profesorë, nga po kaq njësi akademike sa ka aktualisht Universiteti, të cilët kanë dhënë kontribut në ngritjen dhe zhvillimin e UP-së. Në emër të profesorëve të dekoruar foli prof. Dr. Demë Hoti nga Fakulteti i Edukimit, i cili tha që kjo mirënjohje është një nder dhe privilegj për të dhe kolegët e tij. “Universiteti asnjëherë nuk u përkul, ai gjithmonë punoi fuqishëm. Për këtë, unë dhe kolegët mirënjohjen e sotme e konsiderojmë si shtysë dhe motiv për punë” tha ai para të pranishmeve. Po ashtu, mirënjohje u ndanë edhe për 13 studentë të shkëlqyer nga secila njësi akademike që notën mesatare e kanë hiq më pak se 10.
Atmosferë celebrimi eventit në fjalë i shtoi edhe ndarja e mirënjohjeve për fituesit e turnirit të stafit në futboll, ku u nda shpërblimi për ekipin, golashënuesin, sportistin dhe gjyqtarin më të mirë të turnirit.
15 shkurti i vitit 1970 shënohet si dita e themelimit të Universitetit të Prishtinës, datë që shënon një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe mbarë kombin shqiptar.