Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema, për nder të festës së 8 marsit, ftoi në një takim joformal vajzat dhe gratë që janë pjesë e stafit të UP-së. Në një atmosferë festive, i pari i Universiteti vlerësoi lartë punën që ato bëjnë çdo ditë për mirëqenien dhe ngritjen e këtij institucioni, duke pasur parasysh edhe faktin që 54,4% e administratës së UP-së përbëhet nga gratë dhe vajzat.
“8 marsi është simbolikisht Dita Ndërkombëtare e Gruas, por në realitet është vetëm njëra ndër ditët e grave. Ju keni qenë çdo herë akter kryesor në ngritjen e Universitetit. Ju e keni ngritur, avancuar dhe e keni bërë me madhështor këtë institucion”, ishin fjalët me të cilat rektori iu drejtua të pranishmeve. 
Ndërkaq, në emër të grave që janë pjesë e stafit të UP-së, foli  prorektorja për buxhet dhe financa, Myrvete Badivuku, e cila falënderoi rektorin për kujdesin e treguar jo vetëm në shënimin e kësaj dite, por në respektin që vazhdimisht ato hasin në këtë institucion. “Është kënaqësi e madhe me qenë në këtë ambient, me qenë pjesë e këtij  institucioni. Ekipi me të cilin bashkëpunojmë është shumë i ngrohtë dhe shumë bashkëpunues” shtoi ajo.
Rektori i Universitetit të Prishtinës uron të gjitha gratë në ditën ndërkombëtare të tyre, duke e vlerësuar lartë rolin e tyre në ngritjen dhe zhvillimin e shoqërisë.