Në Gjilan u mbajt debat publik, me rastin e iniciativës së qeverisë së Kosovës për themelimin e Universitetit Publik të Gjilanit në hapësirat aktuale të degëve të Universitetit të Prishtinës ‘’Hasan Prishtina’’ në Gjilan.
Ky debat u organizua me iniciativën e organizatave studentore, ku pjesëmarrës ishin rektori i UP-së, prof.dr.Ibrahim Gashi, kryetari i komunës së Gjilanit, z.Qemal Mustafa, studentë dhe pedagogë të njësive akademike në Gjilan.
Rektori Gashi përshëndeti të pranishmit, duke bërë me dije se Gjilani meriton një Universitet Publik, jo vetëm për shkak të numrit të studentëve që ka qyteti i Gjilanit, por edhe për shkak të rëndësisë që ka rajoni i Anamoravës, prandaj siguroi të pranishmit se për themelimin e Universitetit Publik të Gjilanit do të angazhohet maksimalisht duke bashkërenduar aktivitetet me institucionet qendrore dhe komunen e Gjilanit.
Poashtu rektori Gashi falënderoi kryetarin Mustafa për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë për funksionim sa më të mirë të degëve të UP-së në Gjilan në këto tri vitet e fundit, duke e konsideruar si mjaft të rëndësishëm faktin që Universiteti Publik i Gjilanit mund të hapë ato degë për të cilat tanimë ka përvojën, kapacitetet humane dhe infrastrukturen e mjaftueshme për funksionimin sa më të mirë të tij.
Ai siguroi se UP me të gjitha kapacitetet e saja do të ndihmojë në themelimin e Universitetit Publik te Gjilanit, qoftë përmes stafit akademik, logjistikës, por edhe përmes instituteve të Universitetit të Prishtinës, të cilat do të jenë në dispozicion për Universitetin e Gjilanit derisa të jetë e nevojshme.
Përveç tjerash, rektori Gashi theksoi se ky Universitet ka rëndësi edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore dhe Kumanovën, duke mos prejashtuar mundësinë që në një periudhë të afërt të shikohet mundësia për themelimin e degëve të këtij Universiteti edhe në Luginën e Preshevës.
Ky debat vazhdoj në një frymë mjaft konstruktive me pyetje të parashtruara për rektorin Gashi dhe kryetarin Mustafa nga studentët dhe pedagogët e pranishëm në sallë.