Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Demaj ka raportuar para Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me regjistrimin e kandidatëve të komunitetit jo-shumicë në afatin e parë dhe të dytë në universitet, për vitin akademik 2016/2017.

Rektori para këitj komisioni tha se UP-ja e ka kaluar fazën e stabilizimit, duke u zotuar se rektorati ka respektuar përqindjen e vendosur për komunitete nga ana e Ministrisë së Arsimit. Sipas Demajt 12% nga numri i përgjithshëm i të pranuarëve në universitet i përkasin komunitetit jo-shumicë.
“Natyrishtë i kemi krijuar edhe kushtet për regjistrim, përderisa për gjuhën shqipe pragu ka qenë 40%, për komunitetet jo-shumicë pragu ka qenë 30%. Me të vërtetë jemi të interesuar si Universitet i Prishtinës me iu ndihmu komuniteteve”, deklaroi Demaj.
Gjatë kësaj mbledhje rektori Demaj njoftoi se pavarësisht barrierave janë përkthyer të gjitha tekstet në gjuhën e komuniteteve.
Ai sqaroi në detaje numrin e të pranurve nga komuniteti jo-shumicë në secilin departament të Universitetit të Prishtinës, si dhe tregoi se sa vende të lira kanë mbetur.
“Universiteti i Prishitnës është i interesuar dhe i vendosur që ta ngritë cilësinë. Mendoj që pragu është treguar shumë i suksesshëm, sepse ka dy mesazhe, një e përcakton studentin se a është për atë lëmi ose jo, dhe tjera e dërgon mesazhin tek nxënësit se duhet të përgatiten”, përfundoi Demaj përpara anëtarëve të këtij komisioni.