Rektori i Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema priti sot në takim ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Popujve Pakicë të Malit të Zi, z. Mehmet Zenka. Ai në takim ishte i shoqëruar nga zëvendës ministri i tij, z. Leon Gjokaj dhe zëvendës ministri i Arsimit i Malit të Zi, z. Marash Dukaj.

Në këtë takim, Rektori Dema premtoi që do u jap mbështetje të rinjve nga Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës të cilët vendosin të studiojnë në Universitetin e Prishtinës. I pari i UP-së tha që në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës dhe me përfaqësuesit nga Mali i Zi, do të angazhohet që të vendosin një kuotë për pranimin e studentëve nga këto dy vende në Universitetin më të rëndësishëm në Kosovë.

Në anën tjetër, Ministri Zenka shprehi falënderimin e tij për Universitetin e Prishtinës për ndihmesën e vazhdueshme që kanë dhënë në ngritjen e kuadrove nga Mali i Zi. “Kosova ishte ajo që ka qenë meritore në hapjen e një horizonti të ri të arsimimit shqiptar, ishte ajo që i ka hapur dyert shqiptarëve të Malit të Zi dhe ka krijuar plejadat e intelektualeve të parë në këtë vend” tha Ministri Zenka.

Në takim u fol për shumë çështje me rendësi për komunitetin shqiptar të Malit të Zi, me theks të veçantë për arsimin në gjuhën shqipe, si dhe për ndihmën që mund të japë vendi ynë në këtë drejtim. Rrjedhimisht, të dyja palët shprehen gatishmërinë e tyre për thellim të bashkëpunimit në mënyrë që studentëve nga këto vende të iu mundësohet arsimim sa më cilësor.