Departamenti i Biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko- Natyrore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina’’ për katër ditë rresht priti profesorin vizitor, Dr. Federico Zurita Martinez nga Universiteti i Granadas të Spanjës. Prof. Martinez ligjëroi në këtë departament në periudhën  20 - 24 mars 2017. Ai u shpreh jashtëzakonisht i impresionuar me njohuritë e studentëve tanë, mikpritjen dhe frymën e bashkëpunimit të profesorëve të FSHMN-së.

Gjatë qëndrimit të tij, prof. Zurita ka mbajtur tetë orë ligjërata për Teknologjinë e ADN-së Rekombinante dhe aplikimet e saj në: kërkimet bazë për gjenomin; krijimin e organizmave transgjenikë;  prodhimin e proteinave të dobishme; diagnostikimin dhe trajtimin mjekësor, e të tjera tema aktuale dhe me interes për studentët.
Ligjëratat janë ndjekur me shumë interesim nga studentët e nivelit Master (të drejtimit “Biologji” dhe drejtimit “Ekologji Mbrojtje e Ambientit”) si dhe nga një pjesë e stafit akademik të Departamentit të Biologjisë.

Gjatë kësaj kohe, prof. Zurita ka prezantuar edhe Universitetin e Granada-s dhe janë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në mes tij dhe UP-në në të ardhmen, me theks të veçantë në ofrimin e mundësive për studentët dhe stafin e UP-së.
Kjo vizitë u realizua në kuadër të programit ERASMUS+.