Kreshnik Hoti - Prodekani i Fakultetit të Mjekësisë të Universiteti të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, është shpallur Shkenctari i Vitit  nga MASHT.

Ai është i njohur në rrethin e kolegëve të tij farmacistë, edhe pse pak i njohur për publikun e gjërë kosovarë, pasi që për një kohë të gjatë ai ka studiuar, vepruar dhe ligjeruar në Australin Perëndimore, në qytetin e Perthit.
Prodekani Hoti i është kthyer Kosovës rishtazi, për t’u angazhuar në UP, si mësimdhënës në Fakultetin e Mjekësisë në Degën e Farmacisë. Aktiviteti shkencor për çka është vlerësuar Hoti, janë punimet shkencore në revista prestigjioze, në kapituj librash të publikuara edhe nga gazeta zyrtare e Universitetit prestigjioz të Cambridge në Britani të Madhe (Cambridge University Press).
Sipas Hotit, vendi ynë ka mundësi për të bërë shkencë por që duhet të ketë vullnet dhe të shfrytëzohen mundësit
‘Pritet tepër shumë nga shteti dhe fokusi i mbështetjes së projekteve shkencore është në fondet shumë të kufizuara të organizatave qeveritare të Kosovës. Besoj që kjo qasje duhet të ndryshoj dhe shkencëtarët kosovarë duhet të fillojnë të shfrytëzojnë mundësi tjera ndërkombëtare të financimeve të projekteve shkencore. Në Kosovë, kemi elementin më të rëndësishëm të punës kërkimore, e ai është sipas mendimit tim, faktori njeri, d.m.th kemi studentë shumë të mirë me të cilët është lehtë të punohet në realizimin e projekteve shkencore’.
Për  të është shumë e rëndësishme që në UP ka studentë dhe staf akademik shumë të përgatitur. Prandaj dhe nuk është e rastësishme pse studentët tonë zakonisht kanë performancë të shkëlqyer jashtë vendit.
‘Ne si UP, duhet vazhduar dhe intensifikuar ndërkombëtarizimin dhe krijimin e mekanizmave që do të krijonin një lehtësim për stafin, në qasje tek mundësitë për financim të projekteve shkencore nga donatorët ndërkombëtarë. Kjo pastaj do të stimulonte dhe krijonte kushte më të mira për stafin dhe studentët për të kryer punë shkencore. Kështu gradualisht do të mund të krijonim laboratore moderne, logjistikë dhe kushte tjera që nevojiten për të kryer punë të mirëfilltë shkencore. Duhet fokusuar në projektet e doktoraturave, në ngritjen e cilësisë së tyre në mënyrë që rezultatet e doktoraturave të kenë sa më shumë relevancë për komunitetetin shkencorë ndërkombëtarë. Këtë aspekt e konsideroj si gjeneratorë kryesorë të veprimtarisë shkencore kompetitive në Kosovë.’
Ai vlerësohet edhe për punën në inovacionin rreth detektimit automatik të dhembjes duke përdorur veti mikrofaciale të fytyrës, që vlen shumë sidomos për fëmijët që ende nuk kanë mësuar të flasin dhe nuk dinë të tregojnë dhembjen, e posaqërisht për më të moshuarit që kanë humbur aftësitë e komunikimit dhe me vështirësi mund të tregojnë dhembjet, siç janë pacientët me demenci.