Nga aktivitetet e organizuara nga Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës gjatë vitit 2016 përfituan 5051 studentë. QZHK ishte aktive në realizimin e eventeve që synojnë ndërlidhjen e studentëve dhe të diplomuarve me tregun e punës. Përveç eventeve, QZHK-ja angazhoi 36 praktikantë në këndet informuese nga ku janë regjistruar mbi 3500 studentë, të cilët përfituan informim rreth mundësive për zhvillim në karrierë dhe këshillim për përgatitjen e CV-së, letrës motivuese, përgatitjes për intervistë punë, e të tjera shërbime.

Shkumbin Tafilaj, këshilltar për karrierë në QZHK thotë që ata kanë qenë shumë të angazhuar në realizimin e planit të tyre dinamik dhe se puna me studentë ka qenë shumë frytdhënëse. “Kur ti e ke përpara një plan dinamik që ka një synim të caktuar, me shifra të caktuara, dhe vjen dhjetori dhe e sheh që e ke tejkaluar atë plan, madje e ke dhjetëfishuar, natyrisht që është një ndjenjë e mirë” shprehet Tafilaj.
Njëri ndër bashkëpunëtorët e QZHK-së, Safet Rama, menaxher në Inkubatorin Innovation Centre Kosovo e quan bashkëpunimin me QZHK-në të mrekullueshëm dhe frytdhënës. “Kemi hasur në bashkëpunim shumë të mirë me Qendrën e Zhvillimit të Karrierës të UP-së. Interesimi i studentëve ka qenë i kënaqshëm, si rrjedhojë pjesa më e madhe e të përzgjedhurve për t’u bërë pjesë e inkubatorit janë nga UP-ja. “ thotë z. Rama.
Në anën tjetër, Sebahate Kasabaqi nga Deloitte Kosova thotë që për periudhën tri vjeçare të bashkëpunimit me QZHK-në në realizimin e aktiviteteve që i ndihmojnë studentët për zhvillim në karrierë, kjo e fundit ka qenë çdo herë e gatshme për të ndihmuar. “Ne jemi shumë të privilegjuar që sot kemi një numër të konsiderueshëm të të punësuarve dhe praktikantëve që vijnë pikërisht nga Universiteti i Prishtinës. Vetëm nga prezantimi i fundit që kemi organizuar me QZHK-ne me datë 13 tetor 2016, kanë filluar veçse apo pritet të fillojnë në Janar 2017 programin për praktikant 6 studentë të dalluar të këtij Universiteti si dhe 2 studentë të tjerë si punonjës të rregullt të Deloitte Kosova” tregon Kasabaqi.
Përveç bashkëpunimeve, QZHK-ja është mjaft e angazhuar edhe në organizimin e eventeve të tilla si Panairi Virtual i Karrierës, ku sivjet u mbajt edicioni i gjashtë i tij, një numër i madh i trajnimeve dhe videosesioneve. Qendra për Zhvillim të Karrierës planifikon që në vitin e ardhshëm të vendos objektiva të reja, si: organizimi i konferencave, seminareve, realizimi i panaireve specifike për karrierë, me synimin e vetëm zhvillimin në karrierë të studentëve tanë.