“Pokemon Go” njëra ndër lojërat elektronike më të popullarizuara muajve të fundit ishte inspirim për studentët e Universitetit të Prishtinës për krijimin e aplikacionit “Libr”. Ky aplikacion është krijuar nga Amar Syla dhe Argeta Morina, që të dy studentë të Universitetit të Prishtinës në Departamentin e Shkencave Kompjuterike, së bashku me Agron Murtezin, student në UBT.

Qëllimi kryesor i këtij aplikacioni unik është leximi i librave, por kjo do të bëhet në një mënyrë të veçantë, duke u argëtuar dhe duke bërë aktivitet fizik njëkohësisht. Çdo kush që dëshiron të dhurojë një libër duhet ta vendos atë në një vend të caktuar duke i shtuar një përshkrim, dhe të tjerët që janë të interesuar mund ta shohin vendndodhjen dhe përshkrimin për atë libër përmes këtij aplikacioni në telefonin e tyre, ku me pas edhe mund ta marrin atë. Krijuesit treguan që përdoruesit do të kenë në dispozicion edhe një chat për të komunikuar në lidhje me librat.

Sipas Amar Syles targeti i këtij aplikacioni janë kryesisht nxënësit dhe studentët, mirëpo aplikacioni do të jetë në dispozicion për të gjithë adhuruesit e librave. “Libr” do të lansohet fillimisht pa pagesë në të dy sistemet: android dhe në iOS.
Argeta Morina tregon që secili përdorues i “Libr” do të këtë një numër të pikëve në bazë të së cilave mund t’iu qaset librave që gjenden në qytet. “Kjo është menduar për të evituar vetëm marrjen e librave nga një përdorues, pa dhuruar fare libra” tha Argeta.
“Libr” i krijuar nga studentët tanë planifikohet të lansohet në këtë fundvit. Deri atëherë të interesuarit mund të abonohen në http://www.getlibr.com/ nga ku do të njoftohen për lansimin e aplikacionit.
Në anën tjetër, Universiteti i Prishtinës është çdo herë i gatshëm t’i ndihmojë studentët në çdo mënyrë në avancimin e ideve dhe planeve të tyre.