Plagjiatura, e drejta e autorit, pronësia intelektuale në kontekstin akademik ishin fjalët kyçe për të cilat u diskutua në takimin e djeshëm të realizuar në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, znj. Colleen Hyland, Profesori nga Universiteti i Harvardit, z. Kyle K. Courtney dhe përfaqësuesit nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë, z. Mark Naylor, znj. Remzije Potoku dhe Besim Kokollari. Ata u priten në takim nga prorektorja për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës, Prof. Ass. Dr. Teuta Pustina dhe përfaqësuesit e njësive akademike të UP-së.

Prorektorja Pustina i falënderoi përfaqësuesit nga SHBA-të për vizitën e tyre dhe i informoi ata me një historik të shkurtër të UP-së. Prorektorja foli për përvojën që ka UP-ja në fushën e plagjiaturës dhe të drejtave autoriale dhe u tha atyre që vizita dhe eksperienca e tyre është e mirëseardhur për menaxhmetin dhe stafin mësimdhënës të UP-së, për të arritur synimin që ka UP-ja për ngritjen e cilësisë.

Në anën tjetër, zëvendës ambasadorja Hyland tha që gjëja më e rëndësishme është që UP-ja të  përballet seriozisht me problemin e plagjiaturës. “Për faktin që UP-ja është Universiteti më i vjetër në Kosovë, ju e keni përgjegjësinë e liderit të arsimit në vend dhe ju jeni ata që duhet t’i vendosni standardet” tha Hyland. Ndërkaq, profesori Courney në fjalimin e tij u fokusua në shkaqet e ndryshme që qojnë studentët tek plagjiatura.

Nga ana e UP-së, përfaqësuesit e njësive akademike patën rastin të prezantonin fakultetet që ata udhëheqin dhe të flasin për problemet që ata kanë në fushën e plagjiaturës dhe të drejtave autoriale. Dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi shtroi problematiken me të cilën ky fakultet përballët, që sipas tij e ka shumë të vështirë identifikimin e plagjiaturës në veprat artistike, sepse sipas tij, veprave artistike çdo herë i jepet një dozë individualizmi.

Disa nga arsyet të cilat qojnë tek plagjiatura e studentëve, u konsideruan që janë: mungesa e literaturës në gjuhen shqipe, koha e shkurtë për dërgimin e punimeve, madje edhe mungesa e informimit për atë se çka është plagjiatura dhe dallimet e saj me literaturën e cituar.