Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie ka vizituar Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili u takua me Rektorin Marjan Dema së bashku me menaxhamentin e UP-së.

Rektori Dema e njoftoi ambasadorin Delawie me punën e UP-së duke potencuar se kanë vënë standarde  dhe u zotua se transparenca është në nivel të duhur.

“Ne si staf jemi të interesuar të vendosim rregulla, standarde dhe transparencë duke publikuar çdo gjë në ueb-faqen e universitetit”, deklaroi Dema.

Me këtë rast i pari i UP-së, Dema shtoi se universiteti është duke punuar planin strategjik i cili do të përfundoj në muajin e ardhshëm, i cili përmban objektiva të qarta planifikuar në aspektin kohor dhe financiar si dhe adreson përgjegjësi të implementuesit e saj.

Lidhur me pranimin e studentëve nga komuniteti jo-shumicë, Rektori tha se për herë të parë në UP është organizuar provimi pranues në gjuhën amtare të minoriteteve, si dhe kriteri ka qenë më i ulët në krahasim me studentët e tjerë.

Ndërkaq, ambasadori Delawie falënderoi universitetin për bashkëpunim duke shprehur interesim më të detajuar lidhur me prioritetet e menaxhimit të UP-së për vitet në vazhdim.

“Universiteti i Prishtinës është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Ndërsa, falenderoi UP-në për bashkëpunim në programin Fulbright”, theksoi Delawie.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope i cili përmendi programin “Transformational Leadership Program”, i cili u ofron bursë studimi për studentët të cilët janë të interesuar të studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Është me rëndësi që studentët të cilët kanë diplomuar përmes programit TLP të angazhohen në universitet në mënyrë që të promovohen sukseset e tyre”, shtoi Hope përpara menaxhmentit të UP-së.

Ambasadori Delawie së bashku me drejtorin e USAID-it Hope u zotuan se do të vazhdojnë ta përkrahin universitetin edhe më tutje.