Senati i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" më 29.12.2014, zhvilloi dhe miratoi Rregulloren për themelimin dhe parimet e funksionimit të Trupave Këshillëdhënës të Njësive Akademike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me përkrahjen e projektit të Zyres Zvicerane për Bashkëpunim (SDC) “Rritja e punësimit për të rinjë - EYE, të implementuar nga Helvetas Swiss Intercooperation dhe Management Development Associates.

Kjo rregullore përcakton karakterin, anëtarësimin, funksionimin, fushëveprimin, mënyrën e vendimmarrjes dhe mandatin e Trupes këshillëdhënëse. TK-ja është një mekanizëm komunikimi që inicon dialogun dhe bashkëpunimin në mes të sektorit privat dhe akademisë në aspektin e përditësimit të programeve të studimeve dhe përputhjes së kurrikulave me kërkesat e tregut; zhvillimit të projekteve kërkimore me interes të përbashkët; ofrimit të praktikës profesionale ashtu që studentët të aplikojnë njohuritë teorike në praktikë dhe rrisin shanset për punësim dhe vet-punësim të të diplomuarëve.

Në vijim janë të paraqitura disa informata për TK-të e themeluara ndër vite në NjA të UP.

2008
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK)

Më 13 nëntor 2008, me iniciativën e ish-dekanes së Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Prof. Dr. Myzafere Limanit dhe përkrahjen e USAID-it, me vullnetin e mirë të bizneseve të mëdha në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve (TIK) për herë të parë në Universitetin e Prishtinës, u themelua Bordi Industrial (tash Trupa Këshillëdhënëse). Ky Bord nuk kishte ndonjë strukturë të caktuar organizative, mirëpo kontribuoj shumë në ngritjen e cilësisë së programeve studimore duke futur lëndë zgjedhore të reja të cilat ishin me interes për industrinë dhe studentët. Në këtë kuadër u angazhua edhe një numër i caktuar i ekspertëve nga industria .  Gjithashtu, TK-ja e FIEK-ut ka propozuar  dhe e ka përkrahur idenë që puna praktike të jetë obligative, të realizohet tek bizneset dhe të jetë e barazvlefshme me 6 ECTS. Kjo praktikë është treguar shumë e sukseshme dhe është mirëpritur nga studentët. TK-ja e FIEK-ut ka dhënë kontribut të ҫmuar në vlerësimin e planeve dhe programeve mësimore, në procesin e akreditimit. Ekspertët ndërkombëtarë e kanë vlerësuar shumë të dobishëm mendimin e TK-së për programet e propozuar për akreditim dhe konsiderohet që kjo ka qenë një nga kriteret kryesore që FIEK ka marr akreditim për të gjitha programet me të cilat ka aplikuar, për kohëzgjatjen maksimale prej 5 vjet.
Duke  vlerësuar rëndësinë  e Bordit Industrial Këshilldhënës, me iniciativën projektit të Zyres Zvicerane për Bashkëpunim (SDC) “Rritja e punësimit për të rinj-EYE”, të implementuar nga Helvetas Swiss Intercooperation dhe Management Development Associates, më  25  tetor  2013  menaxhmenti I Universitetit të Prishtinës dhe dekanët e njësive akademike, shqyrtuan mundësinë e formalizimit të bordeve industriale.
Si rezultat i këtyre diskutimeve, Prof. Dr. Enver Hamiti, prezantoj Rregulloren mbi bordin industrial këshilldhënës (tani Trupa këshillëdhënëse) , e cila u miratua nga Këshilli i i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike më datën 14. janar 2014.
Rezultatet pozitive të punës së trupës këshillëdhënëse të FIEK-ut kontribuan që një vit pas, kjo rregullore të përmirësohet dhe adaptohet për nevojat e të gjitha njësive akademike. Gjithashtu, për të mënjanuar keqkuptimet edhe emërtimi "Bordi Industrial Këshilldhënës" u ndryshua në "Trupa këshillëdhënëse" e njësive akademike. Kjo rregullore me ndryshime u miratua nga senati i UP-së, më datën 29 dhjetor 2014. 

Anëtarë të trupës këshillëdhënëse të këtij fakulteti janë kryesisht përfaqësues të shoqatave, instituteve, dhe kompanive private dhe publike të cilat operojnë në fushën e teknologjisë informative dhe kompjuterike si: Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), Autoriteti Rregullative të Telekomunikacionit, KOSTT, Autoriteti i Aviacionit Civil, Hekurudhat e Kosovës, InterAdria, Comtel, 3CIS, Posta dhe Telekomi i Kosovës, KEK dhe Microsoft.
Kryetarë i TK-së së FIEK-ut është Z. Gazmend Kajtazi, drejtor në kompaninë InterAdria.


2015
Kësisoj gjatë vitit 2015 me përkrahjen e projektit EYE, dhe assistencën teknike të kompanisë M4Success LLC,  janë krijuar Trupa Këshillëdhënëse në pesë Njësi Akademike (NJA) të Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin e, Edukimit, Fakultetin e Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë, Filologjisë,dhe Fakultetin Ekonomik.

Fakulteti i Edukimit

Mbështetur në Rregulloren e UP-së për themelimin dhe parimet e funksionimit të Trupit Këshillëdhënës,  më 23 korrik 2015, u themelua Trupa Këshillëdhënëse në Fakultetin e Edukimit. Në këtë takim morën pjesë 11 anëtarë, përfaqësues nga kopshtet dhe shkollat fillore publike dhe private përfshirë këtu: IP- ‘Yllkat’, IP- ‘Bardha’, SHFMU- ‘Hilmi Rakovica’, SHFMU-SHML -‘Mileniumi i Tretë, përfaqësues nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, Agjencioni i Kosovës për Aftësim dhe Arsim Profesional dhe Arsim të të rriturve, Drejtorati i arsimit në Prishtinë si dhe Shoqata e prindërve të Kosovës. Në takim u ftuan edhe mysafirë nga organizatat ndërkombëtare që kontribuojnë në fushën e arsimit para-fillor dhe fillor si GIZ, UNICEF dhe Save the Children.


Të gjithë anëtarët u shprehën të gatshëm të përkushtojnë kohën, ofrojnë njohuritë dhe burimet e tyre për të përkrahur Fakultetin e Edukimit në përmirësimin e programeve mësimore që të jenë në përputhje me kërkesat e tregut dhe të shkurtohet koha e kalimit të të diplomuarëve të rinj në vend të punës. Kryetare e TK-së u zgjodh nga rradhët e komunitetit të biznesit Znj. Gëzime Rexhepi, drejtoreshë e institucionit parashkollor privat "Bardha"
Në takimin e parë themeltarë u nënshkruan edhe marrëveshjet e mirëkuptimit në mes të anëtarëve nga tregu i punës dhe dekani i Fakultetit të Edukimit Prof. Ethem Çeku.
Formimi i kësaj trupe u realizua falë koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë në mes të Dekanit të FE-së Prof.  Ethem Çeku, Koordinatorit për Zhvillim Akademik në UP Z. Besnik Loxha, Koordinatores për Cilësi Prof. Ass. Majlinda Gjelaj, dhe kompanisë  M4Success L.L.C  e cila ka qenë e angazhuar nga projekti i Zyres Zvicerane për Bashkëpunim (SDC) “Rritja e punësimit për të rinj-EYE”, të implementuar nga Helvetas Swiss Intercooperation dhe Management Development Associates, të ofroj asistencë teknike në themelimin e TK-ve në 5 njësi akademike.


Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës

Themelimi i Trupit Këshillëdhënës në Fakultetin e Ndërtimtarië dhe Arkitekturës

Më datën 16 shtator 2015, u themelua Trupi Këshillëdhënës i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës (FNA) në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në takim morën pjesë 11 anëtarë nga komuniteti i biznesit dhe shoqatat biznesore. Të gjithë anëtarët u përgëzuan këtë iniciativë dhe u shprehën të gatshëm të përkrahin fakultetin në drejtim të përmirësimit të programeve studimore dhe ofrojnë mundësi për studentët e këtij fakulteti të kryejnë punën praktike te këto biznese.
Anëtarët e Trupit Këshillëdhënës janë përfaqësuesit nga kompanitë Bechtel-Enka, ANP Limak, AlTrade, IPE-PROING, Shoqata e Gjeodetëve të Kosovës, Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, KUR Prishtina dhe përfaqësuesit e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës dhe Universitetit të Prishtinës.
Kryetar i parë i TK-së u zgjodh z. Adnan Turker, përfaqësues i kompanisë Bechtel-Enka. 

Në takimin e parë themeltar u nënshkruan Marrëveshjet e Mirëkuptimit me të gjithë anëtarët që ishin prezent.
Formimi i kësaj trupe u realizua falë koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë në mes të Dekanit të FNA-së Prof. Naser Kabashi, Koordinatorit për Zhvillim Akademik në UP Z. Besnik Loxha, Koordinatorit për Zhvillim Akademik MSc. Egzon Bajraktarit dhe kompanisë M4Success L.L.C  e cila ka qenë e angazhuar të ofroj asistencë teknike në themelimin e  TK-ve në 5 njësi akademike të UP-së.


Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë

Më datën 28 shtator 2015, u themelua Trupi Këshillëdhënës i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV) në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Qëllimi i tij është të inciojë dialogun  publiko-privat në mes të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe kompanive private dhe shoqatave, ashtu që të ndihmojë FBV-në të zhvillojnë programe studimore në pajtim me nevojat e tregut, zhvillojë projekte kërkimore me interes të përbashkët, t’iu ofrojë mundësi studentëve të aplikojnë njohuritë teorike në praktikë dhe ndikojë në rritjen e punësimit së tyre.


Anëtarët e Trupit Këshillëdhënës janë përfaqësuesit nga shoqatat, agjencitë dhe kompanitë private që operojnë në fushën e bujqësisë dhe përpunimit të qumështit në Kosovë si: Ferma dhe Qumështorja “Eurolona”, Qumështorja”Sharri”, Fitofarma, Agrovisioni, Konsoni, Pestova, Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë, dhe Shoqata e Përpunuesëve të Qumështit.
Kryetar i trupit u zgjodh z. Isak Begisholli, përfaqësues i kompanisë Fitofarm.
Në takim u nënshkruan edhe marrëveshjet e bashkëpunimit në mes të anëtarëve prezent dhe dekanit të fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Formimi i kësaj trupe u realizua falë koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë në mes të Dekanit të FBV-së Prof. Bedri Dragusha, Koordinatorit për Zhvillim Akademik në UP Z. Besnik Loxha, Koordinatores për Zhvillim Akademik MSc. Iliriana Miftari dhe kompanisë M4Success L.L.C,  e cila ka qenë e angazhuar të ofrojë asistencë teknike në themelimin e  TK-ve në 5 njësi akademike të UP-së.


Fakulteti i Filologjisë

Themelohet Trupi Këshillëdhënës në Fakultetin e Filologjisë
Mbështetur në Rregulloren e UP-së për themelimin dhe parimet e funksionimit të Trupit Këshillëdhënës, më 12 tetor 2015, edhe në Fakultetin e Filologjisë u themelua Trupi Këshillëdhënës, i katërti me rradhë që u themelua në UP.

Anëtarë të TK-së u zgjodhën përfaqësues nga institucionet publike dhe kompanitë private që operojnë në fushën e arsimit, të përkthimeve dhe të gazetarisë, siç janë: Divizioni i Arsimit Parauniversitar i Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, Divizioni për Përkthime dhe Terminologji në Ministrinë për Integrime Evropiane, Drejtorati i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shkolla e Gjuhëve të Huaja – Oxford, Koha Ditore, dhe Radio Televizioni i Kosovës. Kryetar i trupit u zgjodh z.Agron Bajrami, përfaqësues i kompanisë Koha Ditore.

Të gjithë anëtarët që ishin prezent i nënshkruan marrëveshjet e mirëkuptimit, sipas të cilave ata u përkushtuan të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së programeve studimore dhe në ofrimin e mundësive për studentët e këtij fakulteti që ta kryejnë praktikën profesionale.
Formimi i këtij trupi u realizua falë koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë midis Prorektores:  prof.asoc.dr. Lindita Tahiri, Dekanit: prof.dr.Sedat Kuçi dhe prodekanes: prof.asoc dr. Lindita Rugova, Koordinatorit për Zhvillim Akademik në UP, Z. Besnik Loxha, Koordinatores për Zhvillim Akademik: prof.ass.dr. Milote Sadiku,  dhe kompanisë  M4Success L.L.C,  e cila ka qenë e angazhuar nga projekti i Zyres Zvicerane për Bashkëpunim (SDC) “Rritja e punësimit për të rinj-EYE”, të implementuar nga Helvetas Swiss Intercooperation dhe Management Development Associates, të ofrojë asistencë teknike në themelimin e TK-ve në 5 njësi akademike.


Fakulteti Ekonomik

Më 16 tetor 2015, në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u themelua Trupa Këshillëdhënëse e këtij fakulteti.
Anëtarë të Trupës Këshillëdhënëse janë propozuar dhe aprovuar nga këshilli i profesorëve përfaqësues nga institucionet publike, kompanitë private, shoqatat e bizneseve dhe bankave që operojnë në fushat përkatëse të ndërlidhura me programet ekzistuese të këtij fakulteti si: Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca Kosovare e Biznesit, Albi Group, Buçaj Shpk, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.


Të gjithë anëtarët, që ishin prezent nënshkruan marrëveshje mirëkuptimi me ç’rast u përkushtuan për të ofruar përkrahje në përmirësimin e programeve studimore, për të zhvilluar
projekte të përbashkëta kërkimore dhe për të ofruar mundësi për studentët që t’i aplikojnë njohuritë teorike në praktikë.

Kryetar i TK-së u përzgjodh Z. Betim Humolli, përfaqësues i kompanisë Albi Group.
Formimi i kësaj trupe u realizua falë koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë në mes të prorektores për marrëdhënie me jashtë, prof.asoc.dr. Lindita Tahirit, dekanit prof.dr.Skender Ahmeti, prodekanes për mësim, prof.asoc.dr. Florentina Xhelili-Krasniqi, Koordinatorit për Zhvillim Akademik në UP z. Besnik Loxhës, Koordinatores për Zhvillim Akademik në Fakultetin Ekonomik, MSc. Saranda Kajtazit dhe kompanisë M4Success L.L.C  e cila ka qenë e angazhuar të ofroj asistencë teknike në themelimin e  TK-ve në 5 njësi akademike të UP-së.


2016
Duke e parë rëndësinë e inicimit të dialogut dhe bashkëpunimit në mes të akademisë dhe sektorit privat dhe bazuar në rregulloren në fuqi, në vitin 2016 me vet-iniciativë janë themeluar TK-të në Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit.

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike

Më datën 13 Korrik 2016, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike u themelua Trupa Këshillëdhënëse (TK-ja) e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Qëllimi i TK-së është që të formalizojë bashkëpunimin në mes të Fakultetit, sektorit privat dhe institucioneve publike, për të siguruar mundësi për studentët që të fitojnë shkathtësi praktike, azhurnojnë programet studimore sipas kërkesave të tregut të punës dhe zhvillojnë projekte të përbashkëta të cilat do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së programeve studimore.

Anëtarë të TK-së janë zgjedhur përfaqësues të institucioneve, kompanive private dhe publike, dhe shoqatat e bizneseve të cilat operojnë në fushat përkatëse të ndërlidhura me programet ekzistuese të Fakultetit si: Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Infrastrukturës, Kolegji "Tempulli", Instituti "Inkos", Korporata Energjetike e Kosovës, Fabrika e Veglave "Plus", N.T.Sh. "Elen", N.T.P "Daci", N.T.P. Dilloni Benz", "Solid" Sh.P.K, “Mercom Company", dhe kompania Metal-ing Sh.P.K


Të gjithë anëtarët, që ishin prezent nënshkruan marrëveshje mirëkuptimi me ç’rast u përkushtuan për të ofruar përkrahje të vazhdueshme Fakultetit për të rritur cilësinë e programeve studimore që të zhvillojnë shkathtësitë e studentëve në përputhje me kërkesat e bizneseve.

Kryetar i TK-së u zgjedh  z. Kemajl Zariqi, drejtor i Fabrikës së Veglave ”PLUS” a.e. Sh.p.k, ndërsa zëvendëskryetar
z. Afrim Syla, Partner menaxhues në NTSH ”Elen”.

Themelimi i TK-së u mundësua falë përkushtimit dhe angazhimit të Dekanit të Fakultetit Prof. Asoc. Ahmet Shala dhe Pro-dekanit për Cilësi dhe Bashkëpunim me Ekonomi Prof. Ass. Shpetim Lajqi.

Fakulteti i Mjekësisë

Më datën 29 qershor 2016, bazuar në Rregulloren për themelimin dhe funksionimin e Trupave Këshillëdhënëse të njësive akademike të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", u themelua trupa këshillëdhënëse e Fakultetit të Mjekësisë.
Anëtarët e TK-së së Fakultetit të Mjekësisë janë përfaqësues nga odat profesionale, institutucionet publike dhe private të cilat operojnë fushat përkatëse të ndërlidhura me programet ekzistuese të kësaj njësie  akademike si: Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK), Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK), Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK), Mjekësia Familjare, Shërbimi Spitalor, Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), Kompania Trefarm dhe Asociacioni i Institucioneve Shëndetësore Private.

Të gjithë anëtarët prezent nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit dhe u përkushtuan të punojnë dhe kontribuojnë bashkarisht drejtë përmirësimit të cilësisë së programeve studimore të këtij fakulteti dhe t'iu ofrojnë mundësi studentëve që të aplikojnë njohuritë teorike të mësuara gjatë procesit mësimor në praktikë.
Kryetar i TK-së u zgjodh Dr. Talat Gjinolli, përfaqësues i Asociacionit të Institucioneve Shëndetësore Private.
Trupa Këshillëdhënëse u themelua falë përkushtimit dhe anazhimit të pamohueshëm të Dekanës së Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu, Pro Rektores për Zhvillim Akademik, Prof Ass. Teuta Pustina, dhe Prodekanes, Prof. Asoc. Gloria Staka. 


Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit
Si rezultat i takimit të parë të përbashkët të TK-ve në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", më datën 28.10. 2016 me iniciativën e dekanit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Prof. Assoc. Musa Selimi, Këshilli mësimor shkencor miratoi anëtarët e Trupës Këshillëdhënëse e këtij fakulteti.

Anëtarë të TK-së u përzgjodhen përfaqësues nga shoqatat, federatat dhe sportist/biznesmen që operojnë në fushëveprimtarinë e kësaj njësie akademike si. KB Sigal Prishtina, Federata e Volejbollit të Kosovës, kompania Rahmer, Eximor, Beni Konstruction dhe donator e sportist individual të cilët mund të kontribuojnë me eksperiencën e tyre në përmirësimin e cilësisë së programeve studimore dhe poashtu ofrojnë mundësi për studentët të kryejnë punën praktike, apo të krijojnë shanse për studentët te dalluar që të avancohen edhe më tutje.

Të gjithë anëtarët prezent nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit dhe pastaj zgjodhen kryetarin e TK-së. Kryetar i TK-së u përzgjodh z. Blerand Stavileci, përfaqësues nga klubi baskebollistik “Sigal” Prishtina.

Trupa Këshillëdhënëse u themelua falë përkushtimit dhe angazhimit të pamohueshëm të Dekanit të  fakultetit Prof.Ass. Musa Selimi dhe Prodekanes Prof.Ass. Shqipe Bajçinca.


Takimi i parë i përbashkët i 8 TK-ve të themeluara në UP

Me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe identifikimit të sfidave në procesin e themelimit dhe funksionalizimit  të TK-ve, më 11 tetor, 2016 u mbajt takimi i parë i përbashkët i të gjitha TK-vë të themeluara në Universitetin e Prishtinës (UP). Në këtë takim morën përfaqësues nga menaxhmenti i UP-së dhe udhëheqës të njësive akademike të UP-së, përfaqësues nga Agjencioni për Akreditim në Kosovë, anëtarë dhe përfaqësues individual nga komuniteti të biznesit, shoqatave profesionale dhe biznesore. Në takim u diskutua për rëndësinë inicimit të dialogut publiko-privat përmes TK-ve dhe rëndësinë e opercionalizimit të tyre në funksion të zhvillimit të programeve studimore sipas kërkesës së tregut,  zhvillimit të projekteve kërkimore me interes të përbashkët, dhe organizimi i praktikës profesionale që studentët të aplikojnë njohuritë teorike në praktikë për të rritur mundësitë e punësueshmërisë së tyre.Kjo iniciativë u realizua falë koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë në mes të prorektores për zhvillim dhe cilësi,  Prof. Ass.Dr. Teuta Pustina-Krasniqi dhe M4Success LLC, dhe u përkrah nga projekti EYE “Rritja e punësimit për të rinj”, të financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim SDC, me kërkesën e Universitetit të Prishtinës.