UP-ja dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nënshkruajnë marrëveshje të bashkëpunimit

26 Prill 2024
SHARE

Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, dhe rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Rajmonda Këçira.

Duke ndërmarrë hapa për të përmirësuar cilësinë arsimore dhe për të zgjeruar horizontet për zhvillimin e studentëve, ky bashkëpunim forcon përkushtimin për përgatitjen e studentëve për sfidat globale.

Duke u njohur me rëndësinë e shkëmbimeve në fushat e mësimdhënies dhe kërkimeve, po ashtu edhe mundësitë e siguruara nga forcimi i kontakteve mes anëtarëve të fakulteteve dhe studentëve të institucioneve, UP-ja dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nënshkruajnë marrëveshjen në fushën e bashkëpunimit akademik.

Bashkëpunimi mes dy institucioneve respektive duhet të nxisë aktivitetet e mëposhtme: Shkëmbime dhe bashkëpunime reciproke të profesorëve, kërkuesve, studentëve dhe stafit tjetër në nivelin universitar dhe pasuniversitar, organizim të shkollave verore, seminareve dhe formave të tjera të shkëmbimit të njohurive nga palët, shkëmbim të literaturës, teksteve dhe publikimeve universitare, shkëmbim të stafit administrativ, me qëllim përfitimin e eksperiencës dhe ndryshimeve të nevojshme dhe bashkëpunim në fushën e reformës universitare sipas Deklaratës së Bolonjës dhe Deklaratës së Lisbonës.

Rektori Qerimi ka shprehur mirënjohje, duke theksuar rëndësinë e fuqizimit të këtij bashkëpunimi, që shënon një hap të rëndësishëm drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta arsimore me Universitetin e Prishtinës.

Të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ishin edhe prof. Njomza Llullaku, prorektore për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve, drejtoresha e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, Lumnije Bajrami, si dhe Besnik Loxha, drejtor i Zyrës për Zhvillim Akademik dhe Cilësi.