Rektori i UP-së pritet nga presidenti i Universitetit Caen Normandi

09 Prill 2024
SHARE

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, është pritur sot në një takim nga presidenti i Universitetit Caen në Normandi të Francës, prof. Lamri Adoui.

Në takimin e përzemërt dhe produktiv, rektorët diskutuan për fuqizimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy institucioneve.

Në këtë takim mori pjesë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, z. Mehdi Halimi, përfaqësuesi i Kosovës për Frankofoni, prof. Shemsi Krasniqi, zv/presidenti i Universitetit Caen, Christophe Rochais, profesoresha e gjuhës dhe letërsisë frënge, Valbona Berisha, dhe drejtoresha e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, Lumnije Bajrami.

Të pranishmit diskutuan për mundësitë e rritjes së shkëmbimit të studentëve dhe të stafit akademik, përveç fushave tradicionale të gjuhës e të letërsisë, edhe në drejtime të tjera, përfshirë inxhinierinë dhe degë të caktuara të shkencave sociale. 

Po ashtu, u bisedua për nisma të tjera, që do të përfshijnë bashkëpunimin për projekte, konferenca e publikime te përbashkëta, si dhe aplikime në programe të ndryshme të BE-së, përfshirë për ndërtimin e kapaciteteve dhe rishikimin e ripërshtatjen e programeve të caktuara studimore, për t’i bërë ato atraktive dhe më në linjë me nevojat dhe kërkesat e ndryshueshme të kohës. 

Po ashtu, rektorët diskutuan për objektivin e identifikimit dhe krijimit të programeve të përbashkëta studimore.